bannerbanner
Kryqëzimi Me Nibirun
Kryqëzimi Me Nibirun

Полная версия

Настройки чтения
Размер шрифта
Высота строк
Поля
На страницу:
4 из 6

«E saktë. Dhe tani rrini e shikoni.»

Papritmas ndodhi sikur mbulesa e tendës u zhduk fare dhe kështu shiheshin në mënyrë të përsosur të gjitha objektet që gjendeshin brenda saj.

«Tryeza ime e punës, librat...e pabesueshme.»

«Nëse do të qe njeri brenda, do mund t’ju tregoja nxehtësinë e gjeneruar nga qarkullimi i gjakut dhe kështu që do mund të përllogarisja edhe rrahjet e tij.»

I kënaqur padyshim nga demonstrimi u kishte bërë atyre, alieni nisi të sillej rrotull me hap krenar nëpër dhomë.

Por papritur, koloneli, që nuk e kishte marrë veten nga habia, pati një si shok elektrik dhe foli i irrituar «Ç’është kjo “nëse do të qe njeri”? Duhet të ketë njeri brenda. Ku dreqin kanë përfunduar dy të burgosurit?»

Elisa iu afrua ekranit për të parë më mirë. «Ndoshta i kanë lëvizur. A mund të kemi një pamje më të plotë të pjesës tjetër të kampit?»

«Pa problem fare.»

Në fare pak sekonda, Azakisi filloi të bënte një panoramim të kampit. Sensorët zhbiriluan gjithandej por nuk u gjend asnjë gjurmë prej të dy të burgosurve.

«Duhet të jenë arratisur» pohoi shkurt koloneli. «Kjo do të thotë se do t’i zëmë krejt papritur. Për fat gjenerali është çuar i sigurt nga njerëzit e mi. Ata të tre bashkë do të ishin në gjendje të ngatërronin më shumë se vetë djalli.»

«Nuk ka rëndësi» foli Elisa. «Tani kemi probleme vërtet shumë më të mëdha për t’u marrë.»

As nuk e kishte mbaruar fjalinë kur dera e modulit të komunikimit të brendshëm numër tre u hap. Një vajzë e hijshme doli prej andej me hap të butë dhe të harkuar. Mbante në dorë një lloj tabakaje krejtësisht të tejdukshme mbi të cilën ishin vënë disa enë me ngjyra.

«Zotërinj» lajmëroi me pompozitet Azakisi duke nxjerrë në dukje një prej buzëqeshjeve të tija më të këndshme. «Ju prezantoj me anëtaren më tërheqëse të itinerarit të të gjithë galaktikës.»

Xhekut, të cilit i kishte rënë nofulla, për habi arriti vetëm të belbëzonte një “mirëdita” të thjeshtë para se të merrte një goditje të mirë me bërryl midis brinjës së dhjetë dhe të njëmbëdhjetë në anën e tij të djathtë.

«Mirë se vini në bord» foli me një anglishte mjaft të cunguar. «Besoj se keni uri. Ju solla diçka për të ngrënë.»

«Faleminderit, jeni shumë e sjellshme» iu përgjigj Elisa me zemërim, ndërsa vështronte gjithë inat të dashurin e saj.

Vajza nuk shtoi gjë tjetër. Vuri tabakanë mbi një mbështetëse në të majtë të tyre, ndriçoi fytyrën me një buzëqeshje të mrekullueshme dhe, pas pak sekondash, u zhduk sërish në të njëjtin modul nga kishte ardhur.

«E lezetçme apo jo?» komentoi Azakisi duke vështruar kolonelin.

«E lezetçme? Kush? Për çfarë po flisje?» nxitoi t’i përgjigjej Xheku, duke kujtuar goditjen e marrë më parë.

Azakisi shpërtheu në një të qeshur buçitëse pastaj, me një gjest të dorës, i ftoi të dy të hanin.

«Po ça dreqin është kjo gjëja?» murmuriti Elisa ndërkohë që me një veprim shumë pak elegant, provonte pjatancat e ndryshme.

«Mëlçi Nebiri» nxitoi të sqaronte alieni «brinjë Hanuku dhe rrënjë Hermesi të ziera, të gjitha të shoqëruara nga një pije le të themi “energjike”.»

«Në restorantin Masgouf ishte gjithçka tjetër për tjetër» foli shkurt Elisa. «Por unë kam një uri prej ujku dhe mendoj vërtet se do të ha diçka.»

Kapi me duar një copë brinje dhe, pa shumë probleme, filloi ta ndukte gjer në kockë. «Nuk është se kjo gjëja do të na sjellë dhimbje barku të pashembullta, apo jo Zak? Provoje edhe ti, zemër. Shija është pak e çuditshme por aspak e keqe.»

Koloneli, që po e vështronte Elisën i tromaksur ndërkohë që konsumonte pa kontroll gjithë ato ushqime të çuditshme që gjendeshin në tabaka, u mjaftua vetëm duke belbëzuar «Jo, jo, faleminderit. Nuk kam uri.»

Por vëmendja iu tërhoq nga pamja e pazakontë, si e tabakasë ashtu edhe e enëve që shërbenin si pjata. Kapi një me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe i pa përbërjen. Ishte e pazakontë dhe e ftohtë padyshim. Më e ftohtë nga sa duhet të ishte dhe, pavarësisht kësaj, ushqimi në brendësi të saj ishte shumë i nxehtë. Me majën e gishtit tregues preku lehtë të gjithë sipërfaqen. Ishte jashtëzakonisht e lëmuar. Nuk dukej as prej metali, as prej plastike. Fundja, si mund të ishte plastike? Ata e përdornin atë për gjithë qëllimet e tjera. Gjëja tjetër vërtet e çuditshme ishte se, pavarësisht përsosmërisë së punimit në sipërfaqe, kishte një mungesë absolute të pasqyrimeve. Drita sikur ishte përpirë nga ai material misterioz. Afroi veshin tek sipërfaqja e lëmuar dhe, me nyjen e gishtit të mesit, filloi t’i binte sipër me delikatesë. Në mënyrë të pabesueshme, ena nuk nxori asnjë zhurmë. Dukej sikur po trokiste mbi një top të madh prej pambuku.

«Po me çfarë janë bërë këto objekte?» pyeti me tepër kureshtje. «Dhe tabakaja? Duket se janë prej të njëjtit material.»

Azakisi, po aq i habitur nga pyetja e pazakontë, iu afrua edhe ai tabakasë. Mori një enë tjetër, këtë herë me ngjyrë jeshile të zbehtë, dhe e ngriti deri tek sytë.

«Në fakt, nuk është një “material” i vërtetë dhe tamam i përshtatshëm.»

«Në çfarë kuptimi? Çfarë do të thuash?»

«Ju çfarë përdorni për të mbajtur objekte, ushqime, lëngje ose substanca në përgjithësi?»

«Ngaherë si gjithmonë, përdorim kuti kartoni ose druri për të transportuar materiale. Për të shërbyer ushqimet përdorim tenxhere metalike, pjata në qeramikë dhe gota prej qelqi, ndërsa për të transportuar ose ruajtur ushqime dhe lëngje në përgjithësi përdorim enë në plastikë të formave nga më të shumëllojshmet.»

«Plastikë? Po flasim për të njëjtën plastikë që na hyn edhe ne në punë?» pyeti Azakisi me habi.

«Besoj vërtet se po» iu përgjigj menjëherë koloneli. «Në fakt, plastika është bërë një nga problemet më të mëdha në lidhje me ndotjen në planetin tonë. Vetë ju na keni thënë që keni gjetur sasi të tepërta gjithandej.» Bëri një pauzë të shkurtër pastaj shtoi «Prandaj për këtë arsye, oferta juaj për të rikuperuar gjithçka na ka tunduar pa masë. Do të kishim gjetur zgjidhjen e një problemi shumë të madh.»

«Pra, nëse e kuptova mirë, ju e përdorni plastikën si enë dhe pastaj e flakni tutje pa kontroll, duke ndotur çdo cep të planetit tuaj?»

«Është tamam kështu» iu përgjigj Xheku gjithnjë e më i pështjelluar.

«Por është marrëzi, është absurditet. Po helmoheni vetë me duart tuaja.»

«Bah, nëse vendos edhe gjithë smogun e shkaktuar nga mjetet tona të lëvizjes, nga fabrikat dhe nga sistemet për gjenerimin e energjisë do të arrijmë ta bëjmë akoma më keq. Për të mos folur pastaj për skorjet radioaktive që nuk dimë ende se si t’i heqim qafe.»

«Ju jeni pa tru dhe të papërgjegjshëm. Po shkatërroni planetin më të bukur të gjithë sistemit diellor. Dhe për fat të keq, faji është edhe i yni.»

«Si i juaji?»

«Bah, ishim ne që modifikuam ADN-në tuaj, qindra mijëra vite më parë. Ju kemi dhuruar një inteligjencë më të lartë nga gjithë qeniet e tjera të Tokës, dhe ju si e keni përdorur?»

«E kemi përdorur për ta çuar planetin drejt shkatërrimit.» Xheku fliste duke mbajtur kokën ulur, si një student që merr një notë pakaluese nga mësuesja për mos kryerjen e detyrave. «Por tani jeni kthyer. Shpresoj shumë që mund të na ndihmoni për të sistemuar dëmet që kemi shkaktuar.»

«Nuk besoj se do të jetë aq e lehtë» foli Azakisi gjithnjë e më i shqetësuar. «Falë analizës së bërë nga Petri mbi gjendjen e oqeaneve tuaja, kemi mundur të zbulojmë se sasia e peshqve që gjenden në to është pakësuar me mbi tetëdhjetë përqind nga hera e fundit që kemi qenë këtu. Si është e mundur të ndodhë?»

Xheku, në atë moment, do të ishte rrëzuar me dëshirë në dysheme nëse do të mundte. «Nuk ka justifikime» arriti vetëm të thoshte me një fije zëri. «Jemi vetëm një mori qeniesh arrogantësh, mendjemëdhenjsh dhe të çmendurish.»

Elisa, që i kishte dëgjuar në heshtje të gjitha qortimet e Azakisit, kapërdiu copën e fundit të mëlçisë së Nebirit, fshiu buzët me shputën e dorës, pastaj foli qetë qetë «Shiko se nuk jemi aspak kështu, e di apo jo?»

Alieni e vështroi me habi, por ajo vazhdoi me vendosmëri. «Janë të ashtuquajturit “të fuqishmit” që na kanë katandisur në këtë gjendje. Pjesa më e madhe e njerëzve normalë përpiqen çdo ditë për mbrojtjen e ambjentit dhe të të gjitha formave jetësore që popullojnë planetin tonë të dashur. Është e lehtë të vish nga miliona kilometra, pas mijëra vitesh dhe të bësh moral. Na keni dhënë madje dhe inteligjencën por nuk na keni lënë as edhe një copëz manuali për të na udhëzuar se si ta përdorim!»

Xheku e vështroi dhe e kuptoi sa i dashuruar pafundësisht ishte pas asaj gruaje.

Azakisi kishte mbetur gojëhapur. Nuk e priste natyrisht një reagim të këtij lloji. Elisa, në kundërshtim, vazhdoi e padekurajuar «Nëse vërtet doni të na jepni ndonjë dorë, duhet që të na vini në dispozicion të gjitha njohuritë tuaja teknologjike, mjekësore dhe shkencore në një kohë sa më të shkurtër që të mundni duke parë se nuk do të qëndroni shumë gjatë mbi këtë planet të shkatërruar.»

«Po, po, në rregull. Mos u nxeh shumë» u mundua t’ia kthente Azakisi. «Më duket se jemi vënë në dispozicionin tuaj duke mos ngurruar fare që t’ju japim ndihmën tonë, apo jo?»

«Po tamam, ke të drejtë. Të kërkoj të falur. Fundja do të mundnit që të merrnit plastikën tuaj dhe të ishit kthyer andej nga keni ardhur pa përshëndetur kurse ju jeni këtu duke vënë në rrezik jetën tuaj bashkë me ne.»

Elisa ishte penduar vërtet për reagimin që kishte bërë. Dhe kështu për ta çdramatizuar disi, foli me gëzim «Megjithatë ushqimi ishte i mirë vërtet.» Pastaj, iu afrua alienit dhe duke e parë nga koka te këmbët foli butësisht «Më falni, nuk duhej ta kisha bërë.»

«Mos u shqetëso, të kuptoj shumë mirë dhe, për të treguar që nuk mbaj asnjë mëri, po të dhuroj këtë.»

Elisa i zgjati dorën e porsahapur dhe Azakisi la që të binte një objekt shumë i vogël dhe i errët.

«Të faleminderit, por çfarë është kjo? » e pyeti me kureshtje.

«Është zgjidhja për problemet që keni më plastikën.»

Nasiria – Darka

Fill pasi senatori e kishte ndërprerë bisedën fare shkurt, të tre ngelën për pak çaste duke vështruar ekranin që kishin përpara, i cili shfaqte vizatime abstakte shumëngjyrëshe të lidhur njëri mbi tjetrin në lëvizje pa fund.

«Dhe si i bëhet tani?» pyeti tipi i gjatë dhe i hollë, duke e ndërprerë atë lloj hipnoze kolektive.

«Unë e kisha një ide» u përgjigj ai i shëndoshi. «U bë ca si shumë që nuk vëmë gjë në gojë dhe gjithandej shoh hamburger.»

«E ku mendon që të gjesh tani një hamburger?»

«Nuk kam asnjë ide por di që do më bjerë të fikët nëse nuk ha diçka menjëherë.»

«Po i shkreti ti, tani do të të bjerë të fikët» komentoi ai i holli me një zë prej fëmije. Pastaj ndryshoi tonin duke thënë «Me gjithë ato rezerva që ke vënë në çdo anë do të mundje që të rrije edhe një muaj pa ngrënë fare. »

«Mirë pra, tani ju të dy mjaft më me këto budallallëqe» foli ftohtë gjenerali. «Duhet të studiojmë një plan veprimi.»

«Por unë, me stomak bosh, nuk arsyetoj mirë» ia ktheu menjëherë trashaluqi.

«Mirë atëherë» tha Kembëlli duke ngritur duart në shenjë dorëzimi. «Shkojmë të hamë diçka. Planin do ta studiojmë në tryezën e vogël, aq më tepër që kemi shumë kohë në dispozicion para se senatori të mbërrijë këtu.»

«Kjo është ajo që duhet të thuhet, gjeneral» u shpreh i kënaqur ai trashaluqi. «Di një vend aspak të keq ku bëjnë një gjellë fantastike me mish dashi me patate, karrota dhe bizele, me shije salce curry.»

«Bah, duhet të them se, pas këtij përshkrimi shumë të hollësishëm, edhe mua po më vjen për të ngrënë» foli ai holli ndërkohë që fërkonte duart me shpejtësi.

«Në rregull atëherë, më bindët» shtoi gjenerali duke u ngritur nga karrigia. «Shkojmë, por të përpiqemi që mos të futemi në telashe. Edhe pse me siguri nuk do ta kenë zbuluar akoma, unë në fakt jam një i arratisur.»

«Po pse, ne të dy jo?» ia ktheu ai i holli. «Jemi arratisur nga kampi dhe me siguri që po na kërkojnë gjithandej. Sidoqoftë, për momentin mos ta çajmë kokën fare.»

Pas pak minutave, një makinë e errët ku brenda ishin tre personazhet e dyshimtë, çante vetëtimthi nëpër natë, përgjatë rrugëve gjysëm të shkretuara të qytetit, duke ngritur një re pluhuri të imët dhe të hollë gjatë rrugës.

«Ja pra arritëm, ja ku është» foli ai trashaluqi që rrinte i ulur në sediljen e mbrapme. «Është pak vonë por unë e njoh pronarin. Nuk do të ketë problem.»

Tipi i hollë, që ishte duke ngarë makinën, kërkoi një vend që të mos dukej për parkimin e makinës. Bëri një xhiro rreth e qark godinës pastaj u fut poshtë një tende të pasigurtë të një barake të braktisur. Zbriti shpejt nga makina dhe, me një veprim të kujdesshëm, vështroi me vëmendje gjithë zonën rreth e rrotull. Nuk kishte asnjeri.

Bëri një xhiro të makinës, hapi derën e pasagjerit dhe tha «Gjithçka është e qetë gjeneral. Mund të shkojmë. »

Trashaluqi zbriti edhe vetë nga vetura dhe u drejtua me hapa të shpejtë për nga hyrja kryesore e lokalit. Provoi të rrotullonte dorezën, por hiç. Dera ishte e mbyllur por drita brenda saj ishte ende e ndezur. Atëherë u përpoq që të shikonte vjedhurazi përmes xhamit, por perdet e trasha me ngjyra nuk e lejuan të shihte shumë. Pa humbur më kohë, nisi të trokiste me forcë dhe nuk ndaloi derisa pa një burrë të vogël, me flokë të zeza kaçurrela, që bënte roje nga mbrapa tendës.

«Po ça dreqin...» kishte nisur të thoshte burri i vogël me ton shumë të irrituar, por kur njohu mikun e tij trupmadh, nuk e përfundoi fjalinë dhe hapi derën.

«Ah, qenke ti. Por çfarë bën në këtë orë? Dhe cilët janë këta zotërinjtë?»

«Ej, si je hajdut i vjetër? Këta janë dy miqtë e mi dhe jemi të tre shumë të uritur.»

«Por lokali është i mbyllur, tashmë e kam pastruar guzhinën dhe po bëhesha gati për t’u larguar.»

«Kam mendimin se ky miku im mund të të bindë më mirë se unë» dhe i tundi mu përpara hundës një kartmonedhë njëqind dollarëshe.

«Bah, në fakt... duhet të them se di vërtet si të më bësh për vete» u përgjigj burri i vogël, duke e tërhequr me shpejtësi kartmonedhën nga duart e trashaluqit dhe duke e zhdukur atë në xhepin e veçantë të këmishës. «Hyni, ju lutem» shtoi ai duke e hapur derën tej e tej dhe duke bërë në të njëjtën kohë një gjest kortezie të lehtë. Të tre ata, pasi hodhën një shikim të shkurtër nga mbrapa për t’u siguruar se askush nuk po i përgjonte, u futën njëri pas tjetrit, brenda restorantit të vogël.

Lokali ishtë i përbërë nga dy ambiente dhe nuk dukej se ishte punuar në mënyrë të veçantë. Dyshemeja ishte bërë me tulla të pasheshuara në ngjyrë të errët. Në dhomën më të madhe, tre tavolina të shkurtra të rrumbullakëta, të mbështetura secila prej tyre mbi një tapet të vjetruar dhe me ngjyra shumë të zbehta, ishin rrethuar nga jastëkë edhe ato në gjendje të keqe. Ndërsa në dhomën tjetër, arredimi ishte në një stil pak më oksidental dhe dukej se ishte shumë më “intim”. Perde të mëdha me ngjyra të ngrohta mbushnin të gjitha faqet. Ndriçimi ishte i plotë dhe ambienti ishte padyshim më mirëpritës. Dy tavolina të vogla ishin vendosur tashmë, gati për klientët e ditës së nesërme. Mbi secilën prej tyre një mbulesë jeshile e errët me zbukurime të ndryshme, peceta prej së njëjtës ngjyrë, pjatat njëra sipër tjetrës në qeramikë të çelët dhe me anët prej argjendi, pirunët nga e majta, lugët dhe thikat nga e djathta, dhe në mes, një qiri i gjatë në ngjyrë të verdhë të errët i vënë në një shandan të vogël të gurtë në ngjyrë të zezë.

«A mund të shkojmë andej?» pyeti tipi i shëndoshë, ndërkohë që me dorën e djathtë tregonte dhomën më të vogël.

Pa iu përgjigjur, burri trupvogël me flokët kaçurrela lëvizi beftas drejt sallonit, afroi dy tavolinat, rregulloi karriget dhe, pasi kishte bërë një gjest të këndshëm prej kortezie dhe një gjest të madh dhe të dukshëm me krahë, tha «Ju lutem zotërinj, kështu do të jeni më rehat.»

Të tre u rregulluan në tavolinë dhe trashaluqi i tha «Na përgatisni specialitetin tuaj dhe ndërkohë na sillni tre birra.» Pastaj, pa i dhënë shkas për t’i kthyer përgjigje, shtoi «Mos bëj dredha me mua. E di që ke disa arka të fshehura në ndonjë vend.»

Gjenerali priti deri sa pronari i lokalit të futej në kuzhinë, pastaj filloi të bënte koment mbi bisedën që kishin patur pak më parë. «Senatori është një person i paskrupullt. Duhet të kemi shumë kujdes me të. Nëse diçka do shkojë keq, ai nuk do ngurronte as edhe për një moment të fajësojë ndonjë nga ne për të shpëtuar lëkurën e vet.»

«Do të na eci mbarë» iu përgjigj trashaluqi. «Këtu duket se na duan të gjithë si të marrë, eh?»

«Të mundohemi ta bëjmë punën tonë sa më mirë dhe nuk do të ndodhë asgjë prej gjëje» komentoi ai i holli, që kishte ndenjur në heshtje deri atëherë. «I njoh mirë këta njerëz, nëse nuk do krijojmë probleme dhe do të zbatojmë atë çka na është urdhëruar, do të shkojë gjithçka qetë e qetë dhe secili prej nesh do të ketë shpërblimin që meriton.»

«Po, një plumb mu në mes të ballit» komentoi trashaluqi me qetësi.

«Ec tani, mos ndill tersin si gjithmonë. Deri më tani, ka shkuar mirë gjithmonë, apo jo?»

«Po tamam, deri më tani.»

Ndërkohë, i fshehur në kuzhinë, pronari i lokalit po fliste nën zë në telefon, në arabisht «Është fiks ai po të them.»

«Më duket e pabesueshme që ka ardhur andej nga ty pa eskortën e duhur.»

«Është i shoqëruar nga dy të tjerë. Njërin e njoh shumë mirë dhe jam i sigurt se bën pjesë në ndonjë organizatë të pazakontë që mund të ishte, në njëfarë mënyre, e lidhur me të.»

«A mundesh dot t’i bësh një foto dhe të ma dërgosh? Nuk do doja t’i futesha ndonjë ngatërrese dhe pastaj të marr vesh se bëhet fjalë thjesht për një person tjetër.»

«Mirë atëherë, po shoh se çfarë mund të bëj. Më jep ndonjë minutë kohë.»

Burri mbylli komunikimin, aktivizoi telekamerën në celular, e futi në xhepin e veçantë të këmishës në mënyrë që objektivi të rrinte lehtësisht i zbuluar dhe, mori një tabaka alumini, dhe vuri sipër saj tre gota të bollshme. Hapi tre shishet e birrës dhe i vuri në anë të çdo gote. Ngriti tabakanë me dorën e djathtë, mori frymë thellë dhe u nis drejt tavolinës që ishte zënë nga tre darkuesit.

«Shpresoj që marka t’ju pëlqejë» tha ndërkohë që ndante pijet. «Për fat të keq nuk kemi shumë lloje. Ligjet këtu janë shumë të ashpra përsa i përket pijeve alkolike. »

«Po po, në rregull, mos u shqetëso» foli trashaluqi ndërkohë që kapte një shishe dhe e derdhte në gotë duke e mbushur plot me shkumë.

Atëherë burri, duke bërë shumë kujdes që të pozicionohej mu përpara gjeneralit, mori një gotë, e ktheu pak anash dhe hodhi në të gati gjysmën e shishes. Pastaj duke bërë të njëjtën gjë më atë që kishte i holli, foli «Ja kështu bëhet. Nuk është puna se një iraken i shkretë duhet t’u mësojë tre amerikanëve si hidhet birra, apo jo?»

Një e qeshur buçitëse shpërtheu spontanisht nga të tre darkuesit të cilët, ngritën gotat dhe i tringëllinë me një dolli plot urime të mira.

Pronari, pasi kishte bërë po atë shenjë politese, u tërhoq për t’u futur sërish në kuzhinë. Pasi kishte kapërcyer pragun dhe u sigurua se askush nuk po e shihte, kontrolloi celularin e vet për të verifikuar foton që sapo ishte shkrepur. Pamjet ishin pakëz të turbullta por fytyra e gjerë e gjeneralit Kembëll shihej mirë. Dërgoi menjëherë filmimin tek numri që kishte marrë më parë dhe priti me durim. Nuk kaloi as një minutë kur një dridhje e lehtë e telefonit e sinjalizoi për një telefonatë hyrëse.

«Është ai» foli zëri nga ana tjetër. «Maksimumi brenda një ore do të jemi aty. Mos i lër të ikin më përpara për asnjë arsye.»

«Sapo kanë ardhur dhe duhet akoma që të fillojnë të hanë. Keni të gjithë kohën e mundshme» dhe mbylli telefonin.

Anija kozmike Theos – Admirali

Elisa ishte akoma duke kqyrur objektin e vogël dhe të çuditshëm që Azakisi ia kishte lënë në dorë, kur dera e modulit të komunikimit të brendshëm numër gjashtë u hap. Petri, me një pamje padyshim rrezatuese, doli prej andej me celularin e kolonelit në dorë.

«Ia dola mbanë» foli «ose të paktën shpresoj.» Iu afrua shpejt të treve që qëndronin në mes të kabinës së komandimit dhe vazhdoi «Është një sistem padyshim i vjetruar por mendoj se kam identifikuar parimin e funksionimit. U kapa mbas njërit prej atyre satelitëve që rrotulloheshin përreth planetit në një orbitë shumë më të shkurtër nga e jona dhe besoj se tani është e mundur që të realizojmë një “telefonatë”.»

«Je i madh, miku im» u shpreh Azakisi. «Nuk kisha dyshime se do t’ia dilje mbanë.»

«Para se të këndojmë për fitore, të shohim nëse funksionon vërtet» foli Xheku, duke ia marrë celularin alienit nga duart. Koloneli e pa me kujdes ekranin pastaj tha me habi «E pabesueshme, ka tre shkallë sinjalesh.»

«Ec tani, provoje» i sugjeroi Elisa gjithë ankth.

Xheku shfletoi shpejt listën e emrave dhe gjeti numrin e admiralit Uillson. Por para se ta merrte, i hipi një dyshim «Po sa do të jetë ora tani në Uashington?»

«Atëherë, duhet të jetë gati dy e gjysëm e mbasdites» ia ktheu Elisa, pasi i kishte hedhur një shikim orës së dorës.

«Në rregull, atëherë po e provoj.» Xheku mori frymë thellë pastaj shtypi tastin “DËRGO”. Telefoni po binte. E pabesueshme...

Priti me durim dhe vetëm pas ziles së shtatë një zë çjerrës dhe i thellë u përgjigj «Admirali Benxhamin Uillson, me kë po flas?»

«Admiral, jam koloneli Xhek Hadson. Më dëgjoni?»

«Sigurisht bir, fort dhe qartë. Është kënaqësi që të dëgjoj zërin pas kaq shumë kohësh. Gjithçka në rregull?»

«Admiral... Po, po, faleminderit...» Xheku ishte shumë në siklet dhe nuk dinte vërtet se nga t’ia fillonte. «Po ju shqetësoj për një çështje me shumë urgjencë dhe që është me të vërtetë e jashtëzakonshme.»

«Për hir të Zotit, biri im, mos më lër të qëndroj kaq shumë në pritje. Ça dreqin po ndodh?»

«Bah, nuk është e lehtë për t’u shpjeguar. Ju keni besim tek unë, apo jo?»

«Sigurisht që po, ç’është kjo pyetje.»

«Ajo që do t’ju them mund t’ju duket absurde por mund t’ju siguroj se është më se e vërtetë.»

«Xhek, nëse nuk më thua menjëherë diçka, zemra ime e shkretë mund të ndalë së rrahuri.»

«Në rregull.» Koloneli bëri një pauzë të shkurtër, pastaj foli me një frymë «Unë, në këtë moment, gjendem në orbitën përreth Tokës. Jam në një anije kozmike aliene dhe kam lajme të tmerrshme për t’ia komunikuar direkt presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ju jeni i vetmi person tek i cili kam besim dhe që mund të më vini në kontakt me të. Ju betohem, për kujtimin e babait tim, që kjo nuk është shaka.»

На страницу:
4 из 6