bannerbanner
Kryqëzimi Me Nibirun
Kryqëzimi Me Nibirun

Полная версия

Настройки чтения
Размер шрифта
Высота строк
Поля
На страницу:
2 из 6

«Arrite të lirohesh?» ia preu shkurt i holli, duke parë se biseda po merrte një kthesë jo të mirë dhe se, në fakt, shoku i tij kishte plotësisht të drejtë.

«Më jep akoma edhe një minutë. Besoj se është gati për t’u këputur.»

Në fakt, pas pak, me një kërcitje të thatë, litari që i mbante ata të dy të lidhur pas fuçisë u këput dhe barku i atij trashaluqit, i liruar më në fund nga shtrëngimi, mundi të rimerrte përmasat e veta normale.

«Ja mbaroi» foli i kënaqur trashaluqi.

«Shkëlqyeshëm. Por tani të përmbahemi sa s’ka hyrë akoma roja. Duhet ta bëjmë në mënyrë që të duket gjithçka si më parë.»

«Në rregull ortak. Po vihem prapë sikur gjoja jam duke fjetur.»

Të dy nuk iu duhej të prisnin shumë. Pas disa minutash, në fakt, ndihmësi i profesoreshës u kthye për të zgjatur kokën fshehurazi brenda tendës. Bëri të njëjtin kontroll të shkurtër të gjendjes dhe, duke mos vënë re asgjë të pazakontë, mbylli zinxhirin e tendës, u vendos sërish në hije të verandës dhe ndezi qetësisht një cigare të dredhur me dorë.

«Tani» foli ai i holli. «Luajmë vendit.»

Aksioni, duke parë problemet e të dyve, doli shumë më i komplikuar nga sa pritej por, pasi lëshimit të ndonjë rënkimi të shurdhët prej dhimbjes dhe ndonjë sharje të lehtë, ata u gjendën të dy në këmbë njëri para tjetrit.

«Ma jep mistrinë» urdhëroi i holli ndërkohë që hiqte shtupën nga goja. Sëmbimet në krahun e djathtë e pengonin që të lëvizte lehtësisht por, duke u mbështetur sipër dorës së hapur, arriti të lehtësonte pakëz dhimbjen. Në pak hapa arriti faqen që ishte përballë me hyrjen e tendës, u vu në gjunjë dhe me ngadalë futi tejpërtej Trowel Marshalltown-in. Lama e mprehtë e mistrisë e preu si gjalpë stofin e butë të faqes me drejtimin nga lindja, duke krijuar një të çarë të vogël nja dhjetë centimetra. I holli afroi syrin e djathtë dhe zhbiriloi për ca çaste nga e çara. Nuk kishte asnjëri ashtu siç e kishte parashikuar. Arrihej vetëm të shiheshin, në largësi afro njëqind metra, rrënojat e qytetit antik ku, më parë kishin fshehur xhipin që do t’iu ishte dashur për të ikur me plaçkën e vjedhur.

«Rruga është e lirë» tha ndërkohë që më lamën e mistrisë po e çonte deri në tokë të prerën e vogël që kishte bërë më parë. «Shkojmë» dhe u fut duke u zvarritur nëpër pjesën e çarë.

«Mund ta bëje edhe pakëz më të madhe këtë vrimën, apo jo?» foli nëpër dhëmbë trashaluqi, mes rënkimeve të njëpasnjëshme, ndërkohë që përpiqej me zor edhe ai të rrëshqiste jashtë.

«Luaj vendit. Tani duhet të ikim sa më shpejt që të mundemi.»

«Eh, një fjalë goje është. Unë ia dal a s’ia dal dot që të eci.»

«Ec tani, nxito dhe mjaft u qave. Mbaj mend se nëse nuk arrijmë t’ia mbathim pa u ndier, shumë vite burg nuk do të na i heqë askush.»

Fjala “burg” arrinte gjithmonë që të shkaktonte një forcë suplementare tek tipi i shëndoshë. Nuk foli më asnjë fjalë dhe, duke vuajtur në heshtje, ndoqi pas shokun i cili, pa u ndier fare, u largua vjedhurazi drejt rrënojave.

Qe zhaurima e një motori diku larg ajo që e futi në dyshim rojen. Pa për një çast cigaren tashmë të mbaruar dhe, me një gjest të shpejtë, e flaku tej. U fut me vendosmëri brenda tendës dhe gati nuk mundi t’u besonte syve: dy të burgosurit nuk ishin më. Pranë fuçisë së karburantit litari i flakur në mënyrë të çrregullt, pak më andej dy copat prej stofi që i kishin përdorur si shtupa për t’u mbyllur gojën dhe në faqen në fund të tendës një e çarë e madhe që shkonte deri në tokë.

«Hisham, djema» bërtiti burri me sa frymë që kishte. «Të burgosurit janë arratisur!»

Anija kozmike Theos – Super lëngu

Imazhi i objektit që Petri kishte pozicionuar në hapësirën ndërmjet Kodonit dhe Tokës i kishte lënë gojëhapur të dy tokësorët.

«E çfarë do jetë ajo gjëja?» pyeti me kureshti Elisa, ndërsa afrohej në përpjekje për të parë më mirë.

«Nuk i kemi vënë akoma një emër zyrtar.» Petri e solli sërish objektin e çuditshëm në plan të parë dhe, duke vështruar profesoreshën, shtoi «Ndoshta do të mund të zgjidhje ti një.»

«Nëse të paktën do më shpjegoje se çfarë është, mund të bëja edhe një provë.»

«Ka disa kohë që shkencëtarët tanë më të mirë janë duke u angazhuar në këtë projekt.» Petri kryqëzoi duart pas shpine dhe nisi të ecte ngadalë nëpër dhomë. «Kjo pajisje është rezultati i një sërë studimeve që, pjesërisht, shkojnë edhe përtej kompetencave të mia shkencore.»

«Dhe mund t’ju siguroj se janë të konsiderueshme» shtoi Azakisi, duke i dhënë mikut të tij një të rrahur tek supet.

«Shkurtimisht, bëhet fjalë për një lloj sistemi antigravitacional. Bazohet te një parim mbi të cilin, siç po thoja, po studiohet akoma por që mund të provoj ta përmbledh në pak fjalë të thjeshta.»

«Mendoj se do jetë shumë më mirë» komentoi Elisa. «Mos harroni se ne i përkasim një specieje e cila, në krahasim me tuajën, mund të përkufizohet fare mirë si më pak e zhvilluar.»

Petri pohoi lehtazi. U afrua kështu tek paraqitja tredimensionale e objektit të çuditshëm dhe vazhdoi qetë qetë me shpjegimin e tij. «Kjo, që ti më parë e quajte “objekt në formë petulle”, përkufizohet gjeometrikisht si toroid. Unaza rrethore është e zbrazët, ndërsa ajo që thjesht mund ta quanim “vrima qendrore” përmban sistemin e shtytjes dhe të kontrollit.»

«Deri këtu është gjithçka e qartë» foli Elisa gjithnjë e më e interesuar.

«Shumë mirë. Tani të shohim parimin e funksionimit të sistemit.» Petri rrotulloi imazhin e toroidit dhe shfaqi pjesën e brendshme. «Unaza do të mbushet me një gaz, vetëm të një izotopi të Heliumit, që, i ftohur në një temperaturë afër zeros absolute, ndryshon gjendjen dhe shndërrohet në një lëng me karakteristika tepër të veçanta. Praktikisht, viskoziteti i tij bëhet thuajse zero dhe arrin të rrëshqasë pa gjeneruar asnjë fërkim. Këtë karakteristikë ne e quajmë “super-rrjedhshmëri”.»

«Tani po e humbas paksa fillin» tha me trishtim Elisa.

«Për ta bërë më të thjeshtë, ky gaz në gjendje të lëngët, stimuluar në mënyrën e duhur nga struktura e unazës, do të arrijë të lëvizë në brendësi të saj, pa asnjë vështirësi, dhe me një shpejtësi të afërt me atë të dritës, duke arritur ta mbajë për një kohë teorikisht të pakufizuar.»

«E mahnitshme» arriti vetëm të thoshte Xheku, që nuk kishte humbur as edhe një rrokje nga i gjithë shpjegimi.

«Në rregull, tani besoj se e kuptova» shtoi Elisa. «Po si do t’ia bëjë ky mjet që të përballojë efektet e tërheqjes gravitacionale ndërmjet dy planeteve?»

Diskutimi këtu bëhet shumë i komplikuar» iu përgjigj Petri. «Le të themi se, rrotullimi i superlëngut me shpejtësi të afërt me atë të dritës, gjeneron një kurbë të madhësisë së vazhduar kohë- hapësirë rreth vetes, duke shkaktuar një efekt antigravitacional.»

«Djalli ta marrtë» shfryu Elisa. «Profesori im i vjetër i fizikës do të më vijë vërdallë edhe në varr.»

«Dhe jo vetëm ai, e dashur» shtoi koloneli. «Nëse e kuptova mirë se çfarë po mundohen që të na shpjegojnë këta dy zotërinjtë, këtu po flitet për të përmbysur shumë nga teoritë dhe konceptet që disa nga shkencëtarët tanë janë përpjekur të analizojnë dhe studiojnë gjithë jetën. Parimi i antigravitetit u vu në teori më shumë se një herë por kurrë nuk ka arritur njeri që ta demostrojë plotësisht. Përpara nesh» dhe tregoi objektin e çuditshëm «kemi më në fund provën se kjo është vërtet e mundur.»

«Unë do të ecja pak me më shumë kujdes» foli Azakisi, duke e ftohur pakëz euforinë e kolonelit. «E ndjej për detyrë që t’ju informoj se kjo gjë nuk është eksperimentuar asnjëherë mbi objekte të mëdha si planetet, ose më mirë, e kemi provuar dy cikle më përpara po nuk shkoi tamam siç e prisnim. Dhe për më tepër, do mund të verifikoheshin ngjarje që nuk i kishim parashikuar dhe...»

«Je po i njëjti tersndjellës» tha Petri duke i ndërprerë fjalën shokut të tij. «Mekanizmi është treguar më shumë se një herë. Vetë anija jonë kozmike përdor pjesë të këtij parimi për shtytjen e saj. Të përpiqemi të jemi optimistë.»

«Edhe pse nuk më duket se ka alternativa të shumta apo gaboj?» pyeti Elisa me ton zhgënjyes.

«Për fat të keq, mendoj vërtet se jo» foli Petri me keqardhje, ndërsa ulte lehtë kokën. «E vetmja gjë të cilës i druhem në fakt është se, duke parë përmasat e zvogëluara të toroidit tonë, nuk do t’ia dalim të thithim plotësisht gjithë efektet e tërheqjes gravitacionale dhe një pjesë e forcave të rëndesës do të arrijë prapëseprapë që të bëjë punën e vet.»

«Po thua se kjo gjë mund të mos jetë prapë e mjaftueshme për të parandaluar katastrofën?» pyeti Elisa duke iu afruar alienit me një mënyrë të frikshme.

«Ndoshta jo tërësisht» ia ktheu Petri duke bërë një hap të vogël mbrapa. «Nga përllogaritjet që kam bërë, do të thoja se afro dhjetë përqind e grimcave të rëndesës mund t’i shpëtonte këtij lloj kurthi.»

«Domethënë se mund të ishte një mundim i gjithi i çuar dëm?»

«Aspak» iu përgjigj Petri. «Do të pakësojmë efektet e nëntëdhjetë përqindëshit. Do të na mbetet që të merremi me pak gjë.»

«Do ta quajmë “Newark”» tha Elisa e kënaqur. «Tani kemi shumë punë për të bërë. Shtatë ditë kalojnë shumë shpejt.»

Baza ajrore Camp Adder – Ikja nga burgu

Të dy personazhet e pazakontë, akoma të veshur si beduinë, sapo kishin hyrë në strofkullën e tyre në qytet kur, nga portabli i lënë ndezur mbi tavolinën e sallonit, një tingull i lehtë me ndërprerje u tërhoqi vëmendjen.

«Po tani kush dreqin është?» pyeti me bezdi ai i holli.

Trashaluqi, gjithnjë e më ngurrues, iu afrua kompjuterit dhe, pasi shtypi një fjalëkalim vërtet të komplikuar, tha «Është një mesazh nga baza.»

«Do të duan të marrin vesh rezultatin e operacionit.»

«Më jep një sekondë sa ta deshifroj.»

Mbi ekran u shfaqën fillimisht një varg karakteresh të pakuptueshme pastaj, pas një kombinimi kodesh të shtypur njëri pas tjetrit, mesazhi nisi ngadalë të përvijohej.

Gjenerali është kapur dhe është dërguar në bazën ajrore Camp Adder. Nevojitet operacioni për lirimin e tij të menjëhershëm.

«Ça dreqin» thirri trashaluqi. «E kanë marrë vesh tashmë.»

«Po si dreqin do ta kenë marrë vesh?»

«Bah, me siguri që kanë kanale më direkte se tonat. Atyre atje nuk u shpëton asgjë.»

«E sipas tyre si do duhet të veprojmë?»

«E ku ta di unë. Këtu thuhet vetëm se duhet të shkojmë që ta lirojmë.»

«Kështu te katranosur si jemi? Nuk më duket mirë fare.»

Tipi i gjatë dhe i hollë nxori një karrige nga poshtë tavolinës, e rrotulloi nëntëdhjetë gradë pastaj, duke nxjerrë një varg rënkimesh sporadike, u plandos. «Vetëm këtë kishim mangut.»

Mbështeti njërin bërryl mbi sipërfaqen e sheshtë dhe hodhi vështrimin përtej dritares që kishte përballë. Vuri re se xhamat ishin krejt të pisët dhe se ana e djathtë kishte një të çarë që e përshkonte gati në gjithë gjatësinë.

Papritmas, ngriti sytë menjëherë në drejtim të shokut dhe, pasi bëri një buzëqeshje të vogël prej djalli, tha «Më erdhi një ide.»

«E dija, e njoh mirë atë vështrim.»

«Shko të marrësh kutinë e ndihmës së shpejtë dhe më lër t’i hedh një sy asaj xhungës që ke në kokë.»

«Me thënë të drejtën jam më shumë në merak për kyçin tim të shkretë. Nuk do të doja që të ishte thyer.»

«Mos u merakos, ta rregulloj unë. Që fëmijë doja të bëhesha veteriner.»

Pasi kaloi pak më shumë se një orë dhe pas ilaçeve kundër dhembjeve dhe pomadave të ndryshme të spërkatur ngado, të dy shokët në fakt ishin kthyer gati si të rinj.

I holli, pasi u pa në pasqyrën e varur në faqen përbri derës së hyrjes, tha me një pamje të kënaqur «Tani mund të veprojmë» dhe u fut në dhomën e gjumit. Doli pas pak me dy uniforma ushtarake amerikane në dorë të shtrira fund e krye.

«Po ato ku i more?» pyeti me habi trashaluqi.

«Bëjnë pjesë në pajisjet e emergjencës që kam sjellë me vete. Kurrë nuk i dihet.»

«Ti je i dalë mendsh krejt» shtoi tipi i shëndoshë, duke tundur lehtë kokën. «E çfarë duhet të bëjmë?»

«Ja plani» foli i kënaqur i holli ndërkohë që i hidhte shokut të tij uniformën e prerjes XXL. «Ti do të jesh gjenerali Riçard Rajt, përgjegjësi i agjencisë qeveritare shumë sekrete ekzistencën e së cilës askush nuk e di.»

«Qartë, është shumë sekrete. Po ti?»

«Unë do të kem krahu yt i djathtë. Koloneli Oliver Morris, në shërbimin tuaj, zotëri.»

«Domethënë jam eprori yt. Më pëlqen kjo gjë.»

«Por mos të të bëhet zakon kjo, në rregull?» foli i holli duke mbajtur lart gishtin tregues. «Dhe këto janë dokumentet tona me kartat përkatëse të identifikimit.»

«Dreq. Ngjajnë si të vërteta.»

«Dhe nuk mbaron këtu, plako» dhe i tregoi një fletë letre firmosur direkt nga vetë koloneli Xhek Hadson. «Kjo është kërkesa zyrtare e dorëzimit të të burgosurit për transferimin në një vend më të “sigurt”. »

«Po ku dreqin e more?»

«E printova më përpara ndërkohë që ti ishte në dush. Mendoje se vetëm ti je magjistar i kompjuterit?»

«Jam i befasuar. Është edhe më mirë se origjinalja.»

«Do të paraqitemi në bazën ushtarake dhe do t’i bëjmë që të na dorëzojnë gjeneralin. Nëse do të kenë kundërshtime, mund t’u themi gjithmonë që të telefonojnë direkt kolonelin Hadson. Nuk besoj se celulari mund të funksionojë në hapësirë» dhe të dy kështu shpërthyen duke qeshur me të madhe.

Pas afro një ore, ndërkohë që dielli ishte fshehur tashmë mbrapa një dune të lartë, një xhip ushtarak, brenda të cilit gjendej një kolonel dhe një gjeneral të veshur kokë e këmbë, u ndal para hyrjes së bazës ajrore të Imam Ali ose Camp Adder siç e kishin pagëzuar amerikanët gjatë luftës në Irak. Nga kulla e blinduar e vrojtimit dolën dy ushtarakë të armatosur gjer në dhëmbë dhe u drejtuan me hapa të shpejtë drejt automjetit. Dy të tjerë, të mbetur pak më larg, i mbanin pasagjerët nën mbikqyrje.

«Mirëmbrëma kolonel» foli ushtari që gjendej më afër, pasi e kishte përshëndetur ushtarakisht. «Ju lutem, a mund të shoh dokumentet tuaja dhe ato të gjeneralit?»

Koloneli i gjatë dhe i hollë që gjendej i ulur në vendin e shoferit, nuk foli as edhe një fjalë. Nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës një zarf te verdhë dhe ia vuri në dorë. Ushtaraku u vonua duke e lexuar ca si shumë dhe drejtoi disa herë dritën elektrike të dorës në fytyrat e të dyve. Gjenerali ndjeu qartë pikën e djersës që, nga poshtë xhungës që kishte në ballë, nisi t’i zbriste ngadalë mbi hundë, për të rënë pastaj mbi kopsën e tretë të xhaketës, e tendosur jashtë mase nga shtytja e fuqishme e barkut të madh që kishte poshtë.

«Kolonel Morris dhe gjeneral Uajt» foli ushtaraku, duke i drejtuar kolonelit përsëri dritën elektrike në fytyrë.

«Rajt, gjenerali Rajt!» ia ktheu koloneli i hollë me një ton padyshim të irrituar. «Çfarë ka rreshter, nuk dini të lexoni?»

Rreshteri, i cili kastile e kishte lexuar gabim emrin dhe mbiemrin e gjeneralit, buzëqeshi lehtë dhe tha «Po ju shoqëroj. Shkojuni pas atyre burrave» dhe me një shenjë nënkuptuese i dha urdhër të dy ushtarakëve të çanin përpara në drejtim të burgut.

Koloneli ndezi lehtë xhipin. Nuk kishte bërë as edhe nja dhjetë metra kur dëgjoi t’i thërrisnin nga mbrapa shpinës «Zotëri, ndal!»

Dy drejtuesve të mjetit u ngriu gjaku në vena. Qëndruan pa lëvizur për ca çaste shumë të gjatë, deri sa zëri vazhdoi të fliste «Harruat të merrnit përsëri dokumentet tuaja.»

Gjenerali trupmadh mori frymë aq shumë i lehtësuar saqë të gjitha kopsat e uniformës desh i plasën.

«Faleminderit rreshter» foli ai i holli duke zgjatur dorën në drejtim të ushtarit. «po plakem më shpejt nga sa pandehja.»

Ndezën përsëri xhipin dhe u shkuan pas dy ushtarëve të cilët, duke vazhduar përpara me hap të shpejtë, i çuan menjëherë tek hyrja e një ndërtese të ulët dhe me pamje vërtet të shkatërruar. Ushtari më i ri në moshë trokiti tek dera dhe hyri pa pritur përgjigje. Pas pak, një burrë i bëshëm, krejtësisht tullac, me grada rreshteri dhe me fytyrë vërtet prej një burri të ashpër, u paraqit tek pragu dhe qëndroi në gatitu. Përshëndeti ushtarakisht dhe tha «Zoti gjeneral, zoti kolonel. Hyni brenda, ju lutem.»

Të dy zyrtarët i kthyen përshëndetjen dhe, duke u munduar të harronin dhimbjet e shumta që sërish po i shfaqeshin ngadalë, u futën brenda dhomës së madhe.

«Rreshter» foli me qetësi ai i holli. «Kemi këtu një urdhër me shkrim nga koloneli Hadson që na autorizon të marrim me vete gjeneralin Kembëll» dhe i dorëzoi zarfin e verdhë.

Rreshteri i shëndoshë e hapi dhe u përqendrua mirë që të lexonte përmbajtjen. Pastaj, duke fiksuar sytë e tij të zinj dhe depërtues me ato të kolonelit, vendosi duke thënë «Do më duhet që ta verifikoj.»

«Bëjeni pra» ia ktheu me qetësi zyrtari.

Burri trupmadh me ngjyrë nxori nga një sirtar i tavolinës së punës një fletë tjetër dhe e krahasoi me kujdes me atë që kishte në dorë. Vështroi përsëri kolonelin dhe, pa lënë t’i dilte asnjë emocion, shtoi «Firma korrespondon. Nuk keni ndonjë kundërshtim nëse e marr në telefon?»

«Është detyra juaj. Por të përpiqemi që ta bëjmë sa më shpejt, ju lutem. Kemi humbur shumë kohë tashmë» iu përgjigj koloneli i hollë, duke bërë gjoja se po humbte durimin.

Pa droje fare, rreshteri futi ngadalë njërën dorë tek xhepi i veçantë i uniformës dhe nxori telefonin e tij celular. Formoi një numër dhe qëndroi në pritje.

Dy zyrtarët mbajtën frymën derisa ushtaraku, pasi kishte shtypur një buton të aparatit, komentoi shkurt «Nuk është i arritshëm.»

«Atëherë rreshter, a duam të nxitojmë apo jo?» u shpreh funksionari me një ton padyshim më autoritar se më parë. «Nuk mund të qëndrojmë këtu gjithë natën.»

«Shko të marrësh gjeneralin» i urdhëroi rreshteri i shëndoshë një prej ushtarëve që kishin shoqëruar të dy funksionarët.

Pas ca minutash, një burrë krejtësisht tullac, me mustaqe dhe vetulla ngjyrë gri dhe dy sy të zinj të vegjël dhe të gjallë u shfaq te pragu i portës mbrapa rreshterit. Kishte veshur uniformën me grada gjenerali por mbi supin e djathtë i mungonte një nga katër yjet e gradës. Ishte i prangosur dhe, mbrapa tij, ushtari i mëparshëm e mbante nën mbikqyrje.

Me t’i parë ata të dy, gjenerali hovi për një çast pastaj, duke e nuhatur planin, ndenji në heshtje dhe bëri një fytyrë sa më të trishtuar që të mundej.

«Faleminderit ushtar» i tha koloneli i hollë ndërkohë që nxirrte nga këllëfi i tij Berettën M9. «Tani këtë qelbësirën do ta marrim ne në dorëzim.»

Anija kozmike Theos – Plani i veprimit

«Nuk është emocionuese që të marrësh vesh se do të jemi ne të dy ata që do shpëtojnë Tokën, i dashur?» foli Elisa dhe i mori dorën kolonelit, ndërsa e vështronte me sytë e një koteleje të dashuruar.

«“I dashur”? Nuk të duket se po vrapon pak si shumë?» e qortoi Xheku me mëdyshje.

Elisa u drodh dhe vetëm kur koloneli i buzëqeshi me ëmbëlsi dhe i ledhatoi një faqe, e kuptoi se ai po bënte shaka me të. «Qelbësirë. Mos më bëj më një shaka të tillë se përndryshe do të ta tregoj unë» dhe nisi ta godiste në kraharor me të dyja duart.

«Qetësohu, qetësohu» i pëshpëriti Xheku ndërkohë që e shtrëngonte me ëmbëlsi pas vetes. «Në rregull, ishte një lojë idiote. Nuk do ta bëj më.»

Ai përqafim i papritur pati mbi profesoreshën një efekt qetësues dhe çlodhës. Ndjeu gjithë tensionin e akumuluar deri në atë moment që t’i shkrihej si dëbora në diell. Pas gjithë asaj që kishte ndodhur orët e fundit, ishte tamam ajo çka kishte nevojë. Vendosi që të lëshohej në mes të krahëve të tij dhe, duke mbyllur ngadalë sytë, mbështeti kokën në kraharorin e tij të bëshëm dhe e la veten të humbiste krejtësisht.

Azakisi, ndërkohë, kishte futur H^COM-in në atë kabinën e tij tmerrësisht shumë të ngushtë dhe po priste që, nga dylbia holografike e vendosur përpara, të mbërrinte përgjigja ndaj kërkesës për komunikim.

Mbi ekran, duke filluar nga qendra, një seri valësh shumëngjyrëshe po krijonin një efekt të ngjashëm me atë të një guri të hedhur në ujërat e qeta të një pellgu. Për një çast, dalngadalë, valët filluan të largoheshin duke ia lënë vendin fytyrës së rrudhur dhe të rrahur nga vitet të eprorit të tij I Moshuari.

«Azakis» i foli burri duke buzëqeshur lehtë, ndërkohë që ngrinte ngadalë dorën kockore në shenjë përshëndetjeje. «Çfarë mund të bëjë ky plak i shkretë për ty?»

«Ia treguam të vërtetën dy tokësorëve.»

«Veprim i guximshëm» komentoi I Moshuari, duke shtrënguar mjekrën mes gishtit të madh dhe atij tregues të dorës. «Dhe si e morën?»

«Le të themi se, pas habitjes së fillimit që ishte e natyrshme, më duket se kanë reaguar mjaft mirë.» Azakisi bëri një pauzë të shkurtër pastaj tha me një ton shumë serioz «I kemi propozuar që të përdorin toroidin për superlëngun.»

«Toroidin?» thirri interlokutori duke u ngritur në këmbë me një kërcim që do ta kishte zili edhe një fëmijë. «Por akoma nuk është testuar plotësisht. E mban mend se çfarë ndodhi herën e fundit, apo jo? Me atë mjet do të mund të krijojmë një luhatje gravitacionale të pakontrolluar dhe pastaj ekziston edhe rreziku i krijimit të një mini vrime të zezë.»

«E di, e di shumë mirë» ia ktheu Azakisi shkurtimisht. «Por nuk besoj se ka alternativa. Këtë herë, nëse nuk përdorim mjete drastike, kalimi i Kodonit, do mund të jetë fatal për tokësorët.»

«Cili është plani yt?»

«Kryqëzimi i orbitave të dy planeteve është përllogaritur të ndodhë në më pak se shtatë ditë. Do duhet që të përgatisni toroidin dhe të ma sillni këtu një ditë para.»

«Nuk ka shumë kohë, e di ti.»

«Duhet të më lësh pak kohë për pozicionimin, konfigurimin dhe proçedurën e aktivizimit.»

«Kam një parandjenjë të keqe» tha I Moshuari ndërkohë që kalonte njërën dorë midis flokëve të zbardhur.

«Petrin e kam me vete. Do të shkojë gjithçka mirë.»

«Jeni dy djem të zotë, nuk kam asnjë dyshim por bëni shumë kujdes. Ai mjet mund të shndërrohet në një armë vdekjeprurëse.»

«Përpiqu që të arrish ta kesh në kohë, për të tjerat kujdesemi ne. Mos u bëj merak.»

«Në rregull. Do të lidhem përsëri sapo të jetë gjithçka gati. Paçi fat.»

Fytyra e eprorit të tij u zhduk nga ekrani që filloi sërish të shfaqte po ato valët shumëngjyrëshe të mëparshme.

Azakisi u ngrit ngadalë nga kolltuku i parehatshëm dhe ngeli për pak me duart e mbështetura mbi sipërfaqen e panelit të vogël. Mijëra mendime i vërtiteshin në kokë dhe, ndërkohë që një drithërimë e lehtë i përshkonte shpinën, pati ndjesinë e qartë se kishin për t’u futur në një det me telashe.

На страницу:
2 из 6