bannerbanner
Kryqëzimi Me Nibirun
Kryqëzimi Me Nibirun

Полная версия

Настройки чтения
Размер шрифта
Высота строк
Поля
На страницу:
3 из 6

«Zak» i thirri me gjallëri shoku i tij i aventurës kur e pa të shfaqej në kabinën H^COM. «Çfarë thotë plaku?»

Azakisi u shtriq pak dhe pastaj tha qetë qetë «Na dha aprovimin. Nëse gjithçka duhet të shkojë siç u planifikua, do ta kemi toroidin, ose më mirë Newarkun, një ditë përpara kryqëzimit.»

«Të shpresojmë që do ia dalim mbanë. Nuk do të jetë e lehtë të konfigurojmë atë mjet në kaq pak kohë.»

«Për çfarë bëhesh merak o miku im?» ia ktheu Azakisi duke vënë lehtë buzën në gaz. «Në supozimin më të keq do të hapim një shtrembërim kohë-hapësirë që do të thithë Tokën, Kodonin, Nibirun dhe gjithë satelitët e tjerë me vetëm një goditje.»

Dy tokësorët, që po rrinin pakëz mënjanë por që nuk u kishte shpëtuar as edhe një fjalë nga biseda, ndenjën si të ngurtësuar.

«Po çfarë po thua?» arriti vetëm të murmuriste nëpër dhëmbë Elisa ndërsa e shihte e shtangur. «Shtrembërim kohë-hapësirë? Thithje? Do doje të thoje se, nëse ky plan nuk do duhet të funksionojë, do të jemi shkaktarët e shfarosjes së popullit tonë dhe tuajit?»

«Bah, ekziston një rrezik minimal» komentoi me qetësi Azakisi.

«Një “rrezik minimal”? Dhe na e thua kështu, me këtë pamje të qetë e të kthjellët të shfaqur në fytyrë? Duhet të jesh i marrë dhe ne më shumë se ty.»

«Qetësohu zemër» ndërhyri Xheku duke e kapur nga supet dhe vështruar drejt e në sy. «Janë shumë më të zotë dhe të përgatitur se ne dhe nëse kanë vendosur të ndjekin këtë rrugë, nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse t’i shoqërojmë dhe t’u japim të gjithë ndihmën e mundshme.»

Profesoresha mori frymë thellë dhe pastaj tha «Duhet të ulem. Shumë emocione sot. Nëse vazhdon kështu do të lë pendët.»

Xheku e mori nën përqafim dhe e shoqëroi tek kolltuku që ishte më afër. Elisa, duke nxjerrë një rënkim të lehtë, iu hodh mbi sipër me tërë peshën e vet.

«Ndoshta e kemi ulur pak si shumë përqindjen e oksigjenit në ajër» i përshpëriti Azakisi shokut të vet.

«U përpoqa që ta bëja sa më të përshtatshme për të gjithë ne dhe të evitoja përdorimin e atyre respiratorëve të shëmtuar.»

«E di miku im, por druaj se ata po e ndjejnë sërish në mënyrë të tepruar.»

«Në rregull, po marr masa që të ndryshohet përzierja. Ne mund të përshtatemi shumë më lehtë.»

Por koloneli, dukej se nuk ia ndjente aspak dhe ishte më i gjallë se kurrë ndonjëherë. Veprimi dhe rreziku ishin buka e tij e përditshme dhe në situata të tilla ndihej jashtëzakonisht rehat. «Mirë» tha ai, ndërkohë që qëndronte pikërisht nën pamjen tredimensionale të Newark-ut, i cili ende spikaste me madhështi në mes të dhomës. «Kjo punë mund të na shpëtojë të gjithëve ose të na çojë në një shkatërrim të plotë.»

«Analizë konçize por efikase» komentoi Azakisi.

«Në këtë pikë» foli koloneli me ton serioz dhe zë të thellë «mendoj se ka ardhur momenti për të paralajmëruar pjesën tjetër të planetit për katastrofën e madhe që mund të vijë.»

«E si mendon që ta bësh?» pyeti Elisa nga kolltuku i saj. «Ngrejmë telefonin, marrim presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe i themi: “Mirëdita president. A e dini se jemi nën shoqërinë e dy alienëve të cilët na kanë thënë se, pas pak ditësh, do të mbërrijë një planet që do të na copëtojë të gjithëve?”»

«Më e pakta që do ngjasë është që do të hyjë në gjurmë të telefonatës, do vijë të na marrë dhe do na çojë në psikiatri» ia ktheu Xheku duke vënë buzën në gaz.

«Po nuk keni një sistem të komunikimit global si është Rete-ja jonë?» e pyeti kolonelin Petri me kureshtje.

«Rete? Çfarë do të thuash?»

«Është një sistem i ndërlidhjes së përgjithshme në gjendje për të memorizuar dhe shpërndarë Dijen në nivel planetar. Ne të gjithë mund të futemi, me nivele thellësie të ndryshme, nëpërmjet një sistemi nervor N^COM i cili, që në lindje, instalohet drejt e në tru.»

«Fantastike fare» foli Elisa e habitur, pastaj vazhdoi të thoshte «në të vërtetë, edhe ne kemi një sistem të këtij lloji. E quajmë internet por që natyrisht nuk kemi arritur në nivelin tuaj.»

«Dhe nuk do ishte e mundur të përdorej “interneti” juaj për të dërguar një mesazh në gjithë planetin?» pyeti Petri me kureshtje.

«Bah, nuk është aq e thjeshtë» ia ktheu Elisa. «Do mund të vëmë informacione në sistem, të dërgojmë mesazhe grupeve të njerëzve, madje edhe të bëjmë një filmim dhe të përpiqemi ta mbrojmë sa më shumë që të jetë e mundur, por nuk do na besonte njeri dhe pastaj me siguri që nuk do të mbërrinte te asnjeri.» U mendua për ca sekonda, pastaj shtoi «Sistemi i vetëm mendoj se është akoma televizioni i dashur dhe i vjetër.»

«Televizioni?» pyeti Azakisi. Pastaj, i kthyer nga Petri, tha «A nuk do ishte ai sistemi që, si rastësisht, përdorëm për të marrë imazhet dhe filmimet ndërkohë që ishim duke ardhur për këtu?»

«Mendoj se po, Zak» dhe u shprehur kështu, iu vu punës për t’u marrë me një varg komandash në panelin qendror. Pas pak sekondash, shfaqi mbi ekranin gjigand disa nga sekuencat që i kishte regjistruar më parë. «Po flisnit për këto? »

Një numër i madh filmimesh të të gjitha llojeve nisën të shfaqeshin një pas një me shpejtësi: spote publicitare, lajme televizive, ndeshje futbolli madje edhe një film i vjetër bardh e zi me Haumphrey Bogart.

«Po ajo është Kasablanca» foli Elisa me habi. «Po ku e morët gjithë këtë material?»

«Transmetimet tuaja përhapen edhe në kozmos» iu përgjigj Petri qetë qetë. «Na u desh të punonim pak mbi sistemin tonë të marrjes por, në fund, i kapëm.»

«Dhe falë atyre» shtoi Azakisi «ne arritëm të mësonim gjuhën tuaj.»

«Edhe ndonjë tjetër padyshim më të komplikuar» komentoi me trishtim Petri. «Jam bërë gati si i marrë me gjithë ato shenja vizatimesh.»

«Sidoqoftë» ndërhyri koloneli duke i rënë shkurt «është pikërisht ajo për të cilën po flisnim, por besoj se as kjo nuk është zgjidhja më e mirë.»

«Më fal Xhek» ndërhyri Elisa. «Nuk mendon se është rasti për të njoftuar, para së gjithash, eprorët e tu në ELSAD? Fundja, nëse nuk e kam kuptuar keq, në krye të kësaj organizate është pikërisht presidenti i Shteteve të Bashkuara, apo e kam gabim?»

«E ti si i di gjithë këto gjëra?» e kundërshtoi koloneli me habi.

«Eeh, edhe unë kam burimet e mia» tha Elisa duke shmangur, me gjest të shkujdesur, një tufë flokësh që i binte mbi faqen e djathtë.

«Kështu bëjnë gratë edhe nga ju?» pyeti Xheku, i drejtuar nga të dy alienët, që po vështronin skenën me një pamje të habitur.

«Gratë janë njëlloj kudo në gjithë universin, i dashur» iu përgjigj Azakisi duke vënë buzën në gaz.

«Sidoqoftë» vazhdoi koloneli pas batutës me spec «mendoj se ti ke plotësisht të drejtë. Duhet një institucion serioz dhe me kredibilitet për të përhapur një lajm kaq të rëndë dhe tronditës. Jam vetëm pak i merakosur përsa i përket infiltrimeve të jashtme që kanë përfshirë gjeneralin Kembëll dhe dy tipat që na sulmuan. Në fakt, ishte tamam gjenerali eprori im direkt po, siç shihet, duket se është një i korruptuar dhe tradhtar.»

«Kështu që si përfundim, telefonata për të cilën po flisnim më parë do të duhet që ta bëjmë vërtet?» ia ktheu profesoresha.

«Edhe pse duket absurde, ndoshta është tamam zgjidhja e vetme.»

Nju Jork – Ishulli i Manhattanit

Në një zyrë luksoze në katin e tridhjetenëntë të grataçelës madhështore që gjendej midis 5th Avenue dhe 59th Street të Manhattanit në Nju Jork, një burrë jo shumë i gjatë, me një pamje elegante dhe të mbajtur mirë, po rrinte përpara një prej pesë dritareve të mëdha që e ndanin nnga ambjenti i jashtëm. Kishte të veshur një kostum gri të errët, me siguri italian, një kravatë të kuqe që binte shumë në sy dhe kishte flokë të lëmuar dhe me thinja të krehur nga mbrapa. Sytë e tij të zinj dhe të thellë zhbirilonin përtej xhamit, në drejtim të Central Park-ut të mrekullueshëm që, duke filluar praktikisht nën këmbët e tij, shtrihej me një gjatësi prej katër kilometra dhe gjerësi prej tetëqind metra, duke përbërë një ishull të gjelbër shumë të çmuar, burim oksigjeni dhe çlodhjeje, për gati dy milionë banorë të ishullit.

«Zoti senator, mundem?» foli një burrë shtatshkurtër dhe me një fytyrë jo shprehëse ndërkohë që trokiste me ndrojtje në portën elegante hyrëse prej druri me llak të errët. Anash, një pllakatë e vogël në ngjyrë ari me shkronja dore të zeza paraqiste mbishkrimin “Senatori Xhonatan Preston”.

«Çfarë ka?» iu përgjigj burri pa u kthyer fare.

«Një komunikim video e inkriptuar është në pritje për ju.»

«Në rregull, do ta marr që këtu. Mbylleni portën kur të dilni.»

Burri u drejtua me ngadalë nga tryeza elegante e punës në ngjyrë të errët dhe u ul mbi kolltukun e butë me lëkurë të zezë. Me një gjest të vetvetishëm rregulloi nyjen e kravatës, futi kufjen në veshin e djathtë dhe shtypi një buton të vogël gri i vendosur nën tavolinën e punës. Një ekran i madh gjysëm i tejdukshëm, me një zhurmë të lehtë, filloi të zbriste nga tavani derisa u mbështet butësisht në sipërfaqen e tryezës së punës. Burri preku lehtë ekranin dhe fytyra e madhe e gjeneralit Kembëll doli mu përpara tij.

«Gjeneral, po vërej me kënaqësi se nuk gjendeni më në burg.»

«Si jeni, senator? Para së gjithash doja t’ju falenderoja për operacionin e shpejtë dhe efikas të shpëtimit.»

«Besoj se e gjithë merita është e dy personave që i shoh prapa kurrizit tënd.»

Gjenerali u kthye instiktivisht dhe pa trashaluqin së bashku me shokun e vet, që po përpiqeshin të bënin poza në webkamerën siç bën përherë publiku që ngjeshet mbrapa një gazetari që po bën ndërkohë një kronikë direkte televizive. Tundi supet dhe vazhdoi të thoshte «Nuk janë dhelpra por për kësi lloj punësh janë me të vërtetë efiçentë.»

«Mirë. Por tani më tregoni gjithçka. Raporti juaj duhet të kishte ardhur mbi dymbëdhjetë orë përpara.»

«Le të themi se, kohët e fundit, kam qenë pak “i angazhuar”» ia ktheu me ironi gjenerali. «Sidoqoftë, mund t’ju konfirmoj se intuita juaj mbi punën e profesoreshës Hanter ishte plotësisht e saktë dhe se, në sajë të zbulimit të saj, munda që të asistoj personalisht në një ngjarje që është pak për të thënë e jashtëzakonshme.»

Gjenerali bëri një pauzë të shkurtër me qëllim që të rriste edhe pak kureshtjen e interlokutorit të tij, dhe pastaj shtoi «Senator, nuk e di se si mund të ketë ndodhur, por gjetja nga ana e profesoreshës sonë të të famshmes “vazo me përmbajtjen e çmuar”, në njëfarë mënyre duhet të ketë aktivizuar një sistem që i ka risjellë planetit tonë jo më pak se...» U ndal dhe, i vetëdijshëm që fjalia që po bëhej gati të thoshte do të ishte pakëz e vështirë për t’u kapërdirë, mori frymë thellë pastaj, pa asnjë hezitim më tej, foli solemnisht «një anije kozmike aliene.»

Zyrtari u përpoq të mbante vështrimin drejt e tek ekrani, në kërkim të çfarëdolloj shenje habie në fytyrën e senatorit i cili në kundërshti, nuk lëvizi as qerpikun. U mjaftua vetëm me mbështetjen e bërrylit në tryezën e punës në ngjyrë të errët ndërkohë që, duke marrë mjekrën mes dy gishtave të parë të dorës, nisi ta kruante me butësi. Vazhdoi ta bënte këtë veprim edhe për ca sekonda, pastaj tha shumë thjesht «Dhe kështu, u kthyen.»

Gjenerali nuk mundi dot të mos zgurdullonte sytë nga habia e madhe.

Prestoni dinte gjithçka që më parë mbi alienët... Si ishte e mundur?

Senatori u ngrit ngadalë nga kolltuku i rehatshëm dhe, duke mbajtur duart të kryqëzuara pas shpinës, filloi të ecte në formë rrethore përqark tryezës së punës. Gjenerali dhe dy bashkëpunëtorët që kishte prapa kurrizit nuk guxuan të shtonin as edhe një fjalë të vetme. U mjaftuan me një shkëmbim të vështrimeve ngurruese, duke qëndruar me durim në pritje.

Papritmas, Prestoni u kthye tek tryeza e punës, i mbështeti sipër të dyja duart dhe, duke vështruar gjeneralin drejt e në sy, tha «Keni një dron me vete. Më thoni nëse arritët të bënit një filmim të anijes kozmike.»

Gjenerali u kthye në kërkim të dëshpëruar të një përgjigje pozitive nga ana e atyre të dyve që po rrinin mbrapa tij. Ai më i holli bëri një shenjë nënkuptuese me një buzagaz, mori fjalën dhe, me gjoksin e fryrë nga krenaria, pohoi i kënaqur «Sigurisht senator, edhe më shumë se një. Po jua dërgoj menjëherë.»

Pa shumë komplimenta, shtyu pak mënjanë gjeneralin dhe, pasi u mor ca me tastierën që kishte përpara vetes, nxori në një anë të ekranit të senatorit, fotot e bëra në kampin e profesoreshës Hanter.

Prestoni drejtoi të dy bërrylat mbi tryezën e punës, mbështeti mjekrën tek duart e mbyllura grusht dhe iu afrua ekranit sa të mundej për të mos humbur as edhe një fotogramë nga ato që po kalonte përpara. Në fillim imazhet gjatë natës të enës prej guri që ishte gjetur e groposur nën tokë, pastaj ato të sferës misterioze brenda saj dhe transporti i saj në tendën e laboratorit. Në fund skenari ndryshoi. Ishte ditë e gjitha. Me sa dukej i vendosur mbi katër tufat e kuqërremta të dritës që vinin nga këndet e një katrori imagjinar i vizatuar mbi sipërfaqen e tokës, një strukturë rrethore ngjyrë argjendi dukej fare mirë dhe qartë. E gjitha dukej si një lloj trungu piramide e cila ngjasonte çuditërisht me Ziqquratin e Urit që shihej madhështor në sfond.

Senatori nuk arrinte dot t’i hiqte sytë nga ekrani. Kur pa dy figurat, me pamjen e njeriut por padyshim pak më të gjatë dhe trupmëdhenj nga mesatarja, tek dilnin nga e çara e strukturës në ngjyrë argjendi dhe shkelën me këmbët e tyre të mëdha mbi atë që duhej të ishte platforma e zbritjes, nuk mundi të rrinte pa bërë një murmurimë dhe ndjeu zemrën t’i shkonte lart gjer në grykë.

Ëndrra që e kishte ndjekur pas gjithë jetën ishtë bërë e vërtetë. Të gjitha studimet e tij, kërkimet e tij dhe, mbi të gjitha, kapitalet e konsiderueshme që kishte investuar në atë projekt më në fund po jepnin rezultatet e shpresuara. Ata që po shihte në ekran ishin me të vërtetë dy alienë të cilët, në bordin e anijes së tyre kozmike tepër të avancuar, kishin përshkuar mes për mes të gjithë hapësirën ndërplanetare për t’u kthyer sërish në Tokë. Tani do të kishte mundësi t’ua përplaste në fytyrë të gjithë atyre që e kishin kritikuar dhe t’u thoshte se përllogaritjet e tij ishte absolutisht të sakta. Planeti misterioz i dymbëdhjeti në sistemin diellor ekzistonte vërtet. Orbita e tij, pas 3.600 vitesh, po kryqëzohej përsëri me atë të Tokës dhe para tij ishin dy nga banorët e tij të cilët, duke përfituar nga “kalimi” i planetit, ishin kthyer për të na vizituar dhe për të na ndikuar përsëri në kulturën tonë dhe jetët tona. Tashmë kishte ndodhur kushedi sa e sa herë të tjera në harkun e mijëvjeçarëve dhe tani historia po përsëritej. Por këtë herë, ishte edhe ai vetë dhe natyrisht nuk do linte t’i ikte ky rast fatlum.

«Punë e shkëlqyer» u shpreh thjesht senatori i drejtuar nga ata të tre që po e vështronin me ankth nga ekrani. Pastaj, pasi kishte bërë një rrotullim të plotë në kolltukun ku ishte ulur, shtoi «Fakti është se ju, gjeneral, përderisa jeni zbuluar, ky fakt do t’i komplikojë pak gjërat. Nuk do të kemi më mundësinë e të pasurit të një “veshi” prej autoriteti brenda ELSAD-it por, në këtë pikë, nuk na intereson më.»

«Çfarë kërkon të thuash, senator?»

«Tani objektivi ynë nuk është më të zbulojmë nëse supozimet e profesoreshës Hanter ishin të sakta ose dhe më pak, as të fusim në dorë “enën e çmuar”.»

«Edhe sepse, gjithçka ishte përveç se e çmuar» pëshpëriti trashaluqi.

«Mund të kalojmë direkt e në fazën e dytë» vazhdoi senatori, duke bërë gjoja sikur nuk e kishte dëgjuar. «Kemi përpara një teknologji jashtëzakonisht të avancuar dhe do të na e servirin në një pjatë të argjendtë. E gjitha ajo çka duhet të bëjmë është thjesht ta marrim para se të mbërrijë dikush tjetër para nesh.»

«Më lejoni, senator» guxoi t’i përgjigjej gjenerali me ndrojtje. «dy ndihmësit e mi kanë pasur mënyrën për të provuar se, të dy alienët tanë simpatikë, nuk duket se janë kaq të disponueshëm për të bashkëpunuar.»

«Le të themi se na kanë mbytur me shpulla» shtoi trashaluqi, ndërkohë që bënte një gjest duke masazhuar gjurin.

«Mund ta marr me mend llojin e qasjes që keni përdorur» ia ktheu senatori duke bërë një shenjë nënkuptuese prej buzagazi të lehtë. «A keni pyetur veten se si janë lidhur aq përzemërsisht me profesoreshën dhe kolonelin Hadson? »

«Me thënë të drejtën na është dukur një gjë vërtet e çuditshme» iu përgjigj gjenerali. «janë sjellë me ta sikur të kishin një jetë që njiheshin bashkë.»

«Ndërsa unë mendoj së thjesht janë treguar më të përzemërt dhe më të sjellshëm nga ju.»

«Bah, në fakt, nuk është se kemi shkuar tamam urtë e butë.»

«Ajo që ka ndodhur ka ndodhur» foli senatori si konkluzion. «tani përqendrohuni tek misioni në vazhdim. Ju të dy, gjeni ku janë koloneli dhe mikesha e tij. Dua që të mos i humbni nga sytë as edhe një çast. Do të keni mjete dhe burime në dispozicion. Kësaj here nuk do të pranoj gabime.»

«Po tani kush t’ia thotë se ata të dy po bëjnë një shëtitje të vockël rreth e rrotull Tokës?» i pëshpëriti trashaluqi në vesh atij të hollit një çast para se të lëshonte një ofshamë të shurdhët shkaktuar nga gjuajtja që i kishte dhënë shoku i tij në kërcin e këmbës së majtë.

«Ndërsa ju gjeneral, do të vij e t’ju marr në aeroport.»

«Do të vini këtu personalisht?» foli ushtaraku i habitur.

«Nuk do ta humbisja këtë ngjarje për asgjë në botë. Nëse ajo është baza ku ata zbresin, aty do të duhet që edhe të kthehen, por kësaj radhe do të përgatisim një grup të mirë për t’i mirëpritur. Do t’ju jap udhëzime gjatë rrugës. Punë të mbarë të gjithëve» dhe e mbylli këtu bisedën.

Senatori qëndroi për pak çaste duke kqyrur ekranin përpara që, pas përfundimit të transmetimit, po shfaqte tashmë një seri imazhesh spektakolare nga shkretëtira e Arizonës që pasonin gradualisht njëra pas tjetrës. Pastaj, sikur diçka ta kishte zgjuar papritmas nga gjumi, kërceu në këmbë, shtypi butonin e komunikuesit që kishte mbi tryezë dhe foli ftohtë në mikrofonin e inkorporuar «Më përgatisni avionin dhe më thërrisni shoferin tim. Dua të jem në fluturim maksimumi brenda një ore.»

Anija kozmike Theos – Dhurata

«Duhet që të kthehemi poshtë» foli koloneli i kthyer nga të dy alienët. «Duhet të bëj ndonjë telefonatë dhe nuk besoj se prej këtej do të ishte vërtet e mundur.»

«Nuk do të isha shumë i sigurt» ia ktheu Azakisi duke vënë buzën në gaz. «Shiko se Petri i mirë nëse i vihet seriozisht, mund të bëjë gjëra që as i përfytyron dot» dhe i dha një të rrahur mikut në shpatulla.

«Qetësohu, qetësohu» ia ktheu Petri duke lëvizur krahët në ajër. «Pikësëpari përkufizo konceptin e “telefonatës”.»

Xheku pak i çuditur nga pyetja me sa duket banale, u kthye nga Elisa e cila, në fillim iu shtrëngua në supe pastaj, duke treguar xhepin e veçantë të kolonelit, foli çiltërsisht «Do jua tregosh celularin tënd, apo jo?»

Me një gjest të shpejtë, Xheku nxori smartphonin e vet. Ishte një touch-screen tepër i dalë mode. Kurrë nuk i kishte pëlqyer të ndiqte tendencën absurde për të patur gjithnjë modelin e fundit. Preferonte të kishte në dorë një aparat që e njihte mirë, pa iu dashur të shpenzonte çdo herë mjaft kohë për të mësuar të gjitha funksionet e reja.

«Nuk jam teknik» foli Xheku ndërkohë që ia tregonte alienit «por me këtë gjënë, jemi në gjendje të flasim me një person tjetër që zotëron një të ngjashme si ky, thjesht duke formuar numrin e tij me atë të kësaj tastierës.»

Petri mori telefonin dhe e pa me vëmendje. «Duhet të jetë një sistem i transmetimit një në një, i ngjashëm më komunikuesit tanë portabël.»

«Me të vetmin ndryshim që» shtoi Elisa «çdo herë që e përdorim, na marrin një thes me para.»

Duke menduar se njohja e kufizuar e gjuhës nuk i lejonte që të kapte të gjithë konceptet, Petri vendosi të mos ia vinte veshin deklaratës së fundit dhe vazhdoi me analizën e objektit që mbante në dorë. «Do të kem nevojë për pak kohë për të kuptuar se si funksionon.»

«Bëje me qetësi» komentoi Elisa me dëshpërim. «Aq më tepër që është një planet që po na vjen drejt nesh.»

Petri e vështroi në mëdyshje pastaj, duke parë se nuk e kishte kapur as atë batutën, vendosi të mos shtonte gjë tjetër. Tundi thjesht supet dhe u fut në modulin e transferimit të brendshëm që gjendej më afër nga ku u zhduk brenda pak sekondash.

«Atëherë, supozojmë se celulari jot arrin të funksionojë prej këtej, si e mendon që të vazhdosh më tej?» pyeti Elisa, ndërkohë që përpiqej me dëshpërim të merrte veten nga dobësia e shkaktuar nga mungesa e oksigjenit dhe nga mijëra emocionet që kishte përjetuar orët e fundit.

«Fillimisht kisha menduar të kontaktoja senatorin Preston, eprorin direkt të gjeneralit Kembëll. Por pastaj, duke marrë parasysh se ai person asnjëherë nuk më ka bindur shumë, kam vendosur të ndjek një rrugë tjetër për të arritur tek presidenti.»

«Mendon se mund të jetë edhe ai i përfshirë?»

«Ata të dy djajtë nuk ma treguan asnjëherë të vërtetën. Kanë qarkulluar zëra se Prestoni është edhe i implikuar me prodhuesit e armëve vërtet pak të rekomandueshme. Nuk kam besim fare tek ai.»

«Kështu që?»

«Kështu që do të drejtohem direkt tek admirali Benxhamin Uillson. Ka qenë krahu i djathtë i presidentit për shumë vite dhe madje ishte një mik shumë i ngushtë i babait tim.»

«Ishte?»

«Për fat të keq babai na la afro dy vjet më parë.»

«Më vjen keq...» pëshpëriti Elisa duke i ledhatur me ëmbëlsi krahun e majtë.

«Uillsoni më ka mbajtur në prehër kur isha fëmijë. Është nga të paktët persona tek të cilët besoj verbërisht.»

«Nuk di ç’të them. Për sa kohë që ti ke marrëdhënie shumë të mira me të, besoj se do të jetë e vështirë që t’ia përcjellësh një lajm të këtillë nëpërmjet telefonit.»

«Mund t’i tregoj gjithmonë ndonjë foto të qytetit të tij që shihet prej këtu sipër.»

«Me sensorët tanë me rreze të shkurtër» vërejti Azakisi që kishte ngelur mënjanë deri më atëherë «do mundemi që t’u themi gjithashtu, në kohë reale, se sa rrahje në minutë ka zemra e tij.»

«Mos bëj shaka të lutem» tha Elisa duke përforcuar deklarimin e e saj me një gjest të dorës.

«Nuk më beson? Atëherë shiko.»

Azakisi, me anë të O^COM-it, shfaqi në ekranin gjigand pamjen nga lart të kampit të profesoreshës. Në pak sekonda, zmadhoi imazhin deri sa inkuadroi atë që ishte tenda e saj e laboratorit.

«Ajo që po shihni...»

«Është tenda ime» thirri Elisa para se Azakisi të mbaronte fjalinë.

На страницу:
3 из 6