Полная версия
Një Flluskë Jashtë Kohe
«Shihemi nesër Katherine».
«Shihemi nesër John». Më ndoqi me shikim, duke mbetur i palëvizshëm gjatë gjithë kohës, derisa u hap dera e ashensorit. I mbante duart në xhepat e palltos, sikur të ishte duke fshehur diçka brenda tyre. Hyra në ashensor dhe shtypa tastin për të shkuar në katin e tretë. Kisha pak kohë për t’i bërë një shenjë të fundit përshëndetjeje John-it, që ma ktheu, pastaj ngela e palëvizur të vështroja imazhin e tij që zhdukej pas dyerve të ftohta prej çeliku të kabinës së ashensorit. Një korridor i gjatë, i ngushtë dhe i errët, më çoi në dhomën 315. Ndërsa kaloja përpara dyerve të dhomave të tjera, dëgjoja zhurmat e televizorëve të ndezur, të ujit të dusheve dhe zërat e njerëzve që vinin nga brenda. Hoteli ishte pothuajse plot. Hyra në dhomën time, ishte shumë e vogël, me një banjo të ngushtë dhe pak të trajtuar. Pashë jashtë nga dritarja. Shpalosej një panoramë e bukur nga pas qytetit dhe në largësi shikoja dritat e ndezura dhe të forta që ndriçonin pistat e aeroportit. Shkëlqimi i reflektimeve të dritës mbi pllakat e akullta dhe grumbujt e dëborës, i jepte peizazhit një pamje përrallore. Morra zjerësin dhe ngroha ujin për të përgatitur një kafe të mirë amerikane. Kisha nevojë për diçka të ngrohtë për të luftuar acarin që më kishte përshkuar edhe kockat në atë mbrëmje të ftohtë. Por, në të njëjtën mbrëmje, kisha takuar një burrë që kishte arritur të më ngrohte zemrën. Një talk- show transmetuar në televizion mbushte dhomën me fjalë, e pashë me pak interes ndërsa pija filxhanin tim të kafesë. Mendja ime bridhte në atë që do kisha parë dhe jetuar në Wallowa, pyesja veten për ekzistencën e vërtetë të shtëpisë që po kërkoja. Natyrisht, po të mos e kisha gjetur, do të kisha mbetur shumë e zhgënjyer nga vetja ime dhe do të kthehesha në shtëpi me duar bosh, duke u detyruar të fshija përgjithmonë ato imazhe që gjithmonë kishin populluar mendjen time dhe mendimet e mia. Kërkova në kujtesën time vizuale për copëza për të rindërtuar imazhin e John-it dhe vlerësova të gjitha ato që ai kishte bërë për mua. Vetëm tani që ai kishte ikur, duke më lënë vetëm në atë dhomë, mund të arrija të shprehja mirënjohjen time. Kishte marrë komplet një të huaj në aeroport dhe i kishte ofruar ndihmën e tij, shërbimet e tij, pa kërkuar asgjë në këmbim. Të paktën deri në atë moment. Pyesja ende veten nëse ai njeri ishte real apo një fryt i imagjinatës sime. Megjithatë, emocioni që kisha ndjerë ndërsa më puthte dorën ishte i vërtetë, fizik. Vendosa të mos mendoja më për këtë. Nëse kisha ardhur në dhomën e atij hoteli në Portland, dikush ose diçka duhej të më kishte sjellë. E çmendur, po, mund edhe të pranoja se jam, por nuk mund të pezmatoja fantazitë e mia deri sa të gjeneronin hipoteza dhe mendime absurde. U zhvesha dhe hyra në banjo, duke u futur poshtë dushit që derdhte ujë shumë të nxehtë, pothuajse tymues. Ndesha në imazhin tim të reflektuar në pasqyrën përballë meje, gjerësisht të turbullt anash nga avulli i nxehtë i prodhuar nga uji i dushit. Ishte krijuar një kornizë rreth trupit tim dhe mund të admiroja tiparet e mia dhe gjinjtë e mi të plotë sikur të isha duke admiruar një pikturë. Pashë se isha objektivisht një grua e bukur. “Po, je një grua e bukur Kate”, më sugjeroi krenaria ime prej gruaje, duke bërë që të nxjerr një buzëqeshje të bukur krenare në buzët e mia të mbyllura. Dushi më largoi lodhjen e ditës nga trupi im, duke i qetësuar muskujt e mi ndërsa uji i nxehtë rridhte përgjatë ijeve të mia dhe më përshkonte kurrizin. U preka me dorë ndërsa mendja shkonte tek John, njeriu i asaj mbrëmjeje, dhe menjëherë u pushtova nga një dridhje e nxehtë që më bëri të drithërohesha nga kënaqësia. Trupi im reagonte mirë ndaj stimujve të seksit, edhe pse ende nuk kisha mundur të përjetoja kënaqësinë e vërtetë me një burrë. Unë vetë e njihja mirë veten aq sa të kujdesesha për trupin tim ashtu siç e meritonte. Menjëherë më pas u ndjeva e qetë dhe e relaksuar, e kënaqur në trup dhe në mendje për atë që sapo kisha bërë. Vesha pizhamat e mia dhe u futa poshtë shtresave. Në televizion talk-show vazhdonte me diagolët e tij, midis grindjeve të forta të pjesëmarrësve grindavecë dhe të qeshurave të publikut, ndërsa prezantuesi përpiqej më kot të merrte kontrollin e një situate që dukej tashmë se i kishte ikur plotësisht nga duart. Pa e kuptuar, në shumë pak kohë rashë në një gjumë të thellë.
KAPITULLI 4
Bastard! Je një bastard i ndyrë, po! Unë të dhurova dashurinë time dhe ti e morre bashkë me trupin tim. Ti ke marrë gjithçka nga unë, edhe shpirtin tim. Dhe tani nuk gjen forcën të më pranosh për atë që jam dhe atë që të kam dhënë, fshihesh pas justifikimeve më të poshtra dhe e quan “fryt i mëkatit”! Të kam thënë të zgjedhësh, por duhet ta bësh tani, nuk jam më e gatshme të pranoj më asgjë dhe asnjë! Duhet të zgjedhësh midis ne të dyjave, dhe duhet të jetë zgjedhja jote përgjithmonë. Po më detyron të të urrej, je një i poshtër. Nuk e meriton dashurinë time dhe nëse nuk merr një vendim, nuk do ta kesh më! Ik larg, ik! Liro sytë e mi dhe jetën time nga prania jote e parehatshme, ik tutje përgjithmonë. Nuk dua të të shikoj më, kurrë më! Kam besuar tek ty dhe ti më asgjësove, u poshtërova përpara familjes sime, njerëzve të mi, për ty. Dhe ti në këmbim ke shkelmosur atë pak nder që akoma më kishte mbetur dhe ke larguar thërrimet e krenarisë së një gruaje që akoma mbroja me dhëmbët shtrënguar, pasi kisha vendosur të rrija me ty. Shko tek ajo atëherë! Shko… Ik menjëherë! Je i vdekur për mua, tani dhe përgjithmonë! Bastard i ndyrë!
Natën hapa sytë, isha e lagur nga djersët. Ndieja nxehtësinë të më mbështillte plotësisht, në të gjithë trupin. Pashë orën me zile, kishte kaluar tre i natës vetëm prej disa minutash. Televizori kishte mbetur i ndezur, po transmetonte një koncert rrok të viteve tetëdhjetë. Në dhomë mbizotëronin shkëlqimet me dritë të përhershme të llampave psikodelike, të përshtatura nga kamerat dhe të kthyera nga skena në të cilën ata këngëtarë të çmendur ishin duke performuar. Muzika ishte ndërprerë herë pas here nga ndonjë bori e shurdhër e makinave që ende kalonin në rrugë, poshtë hotelit. U ngrita dhe dola në dritare të shikoja jashtë, përtej perdeve. Nuk e prisja një kaos të tillë në atë orë të natës, m’u duk shumë i çuditshëm, atipik për një ditë në mesjavë në një rrugë mjaft periferike në krahasim me qendrën e qytetit.
«Ç’farë furie absurde!», i pëshpërita vetes ndërsa po i mbyllja me vështirësi perdet errësuese të dritares, që po i bënin një farë rezistence rrëshqitjes së grepave në shinë. U ktheva në shtratin tim për të provuar të përpiqesha të rikuperoja gjumin e ndërprerë. Rrotullohesha vazhdimisht në krevat, siç kthehet salsiçia e një hotdogu në pllakën e nxehtë për të evituar që të digjet, nga njëra anë në tjetrën, por thjesht nuk mund të më zinte gjumi. Isha e shqetësuar, por ç’farë ishte ajo që më mbante në atë gjendje thjesht nuk mund ta kuptoja.
«Përpiqu të flesh Kate, dreqin! Nesër do të jetë një ditë e gjatë dhe e vështirë!», qortoja veten me zë të lartë, e bindur se fjalët kishin më shumë forcë sesa mendimet. Sa më shumë e bëja, aq më shumë ndjeja eksitimin për diçka të pakapshme që rritej dhe hapte me forcë vend në trupin dhe në mendjen time, duke u tallur me mua. Ç’farë po bënte John në atë moment? “Gjumë” do të kishte qenë përgjigjja më e qartë, por edhe më pak interesante. Ndoshta po mendonte për mua? Apo ndoshta kishte një grua me të në shtratin e tij në atë moment? Nuk më kishte folur për familjen e tij, dija vetëm që ishte ndarë. Ose ishte një qejfli grash, një burrë në kërkim të një gruaje të re për çdo natë. Unë ndoshta dukesha si një pre e mundshme për atë mbrëmje, por i kishte shkuar keq! Bëra një buzëqeshje të ndrojtur të kënaqur, por menjëherë e kuptova se e kisha gabim.
«Nesër do të shohim se si do të shkojnë gjërat, tani fli», u sigurova duke u vetëftuar për t’u shplodhur. Dalngadalë kllapa e nxehtësisë mbytëse e kishte çliruar trupin tim, duke i lejuar lëkurës sime të rifreskohej dhe djersës të thahej, derisa u zhduk plotësisht. Ndihesha më e qetë, më e relaksuar. Të mendoja për atë njeri, për më mirë ose për keq, më sillte qetësi. Dhe me këtë mendim ankoruar në mendjen time dhe imazhin e tij gjallërisht të ndezur para syve të mi, trupi im i lejoi gjumit të vinte dhe të më zinte, për të më dalë pastaj kur drita e natyrshme e ditës filloi të filtrohej përmes perdeve, të mbetura vetëm gjysmë-mbyllur gjatë natës. Një rreze dielli, e ngjashme me një shpatë e bërë vetëm nga drita, mbulonte dyshemenë e dhomës, duke e përshkuar plotësisht nga njëra anë në tjetrën. Kishte kaluar ora shtatë e mëngjesit prej një kohe të gjatë dhe ende duhej të përgatitesha para se të zbrisja në holl për mëngjes, ku do të shihja sërish John-in. Hyra në banjo dhe u pashë në pasqyrë, tani e lirë nga gjurmët e avullit të formuara natën e kaluar. Sytë e mi ishin të fryrë, nuk do të kisha ofruar një pamje të mirë të personit tim në ato kushte, e kuptova menjëherë. U përpoqa të mbuloja atë deformim me tualet, por rezultati në fund ishte vetëm i pjesshëm, vërtetë i varfër. Nuk mund të bëja asgjë, siç më kishte ndodhur herë të tjera, ënjtja do të kishte ikur vetë gjatë ditës. Kisha njëfarë përvoje të tillë. Por pse pikërisht atë ditë, dreqin? John do të kishte qeshur me mua, do të ishte çuditur me mrekullitë që dritëhijet e mbrëmjes mund të bëjnë në imazhin e një gruaje të papërsosur. Megjithatë, një natë më parë sytë e mi më shihnin kaq të bukur! E gjeta zgjidhjen, do të kisha shfaqur një dekolte të madhe. Do të kisha përdorur armët e mia më të mira për të devijuar shikimin e tij nga sytë e mi, për t’i dhënë vlerë diçkaje që ishte më tërheqëse dhe e menjëhershme për të! Në fund të fundit ishte një burrë, duhej të vlerësonte tiparet e një gruaje. Shtrëngova pra gjinjtë në duart e mia për t’i bashkuar. Vërtet aspak keq Kate! Vesha një këmishë pambuku elastin, pa reçipeta, shumë të ngushtë dhe me një dekolte me të vërtetë bujare. Ishte e vetmja që kisha, ishte ngjyrë rozë. Nxitova për në banjë për t’u parë dhe për të bërë ndonjë rregullim të përshtatshëm. “Je perfekte Kate, je vërtet një bombë!” mendova, krenare për veten dhe që zotëroja një trup të tillë. Unë vetë nuk i pashë më sytë e mi, tani të kaluar në plan të dytë. Përfundova së veshuri me nxitim dhe pas një ekzaminimi të fundit para pasqyrës, ndihesha gati. Sapo morra çelësin e dhomës, u katapultova në korridor, drejtur tek ashensorët. Brava e sigurisë në derën e dhomës u fut menjëherë automatikisht pas mbylljes së derës pas kurrizit tim. Ashensorit iu deshën disa sekonda përpara se të arrinte në katin tim dhe kur u hapën dyert, brenda ishte një burrë mjaft i shëmtuar, që vinte erë të keqe dhe shumë i shëndoshë, pothuajse obez. Kishte një model qesharak të flokëve në kokën e tij pothuajse tullace që, me sa duket, donte ta mbulonte me çdo kusht. Po të kisha qenë në vendin e tij, do të kisha menduar për një paruke. E kishte mbajtur shikimin e tij manjak të fiksuar në gjoksin tim për gjithë kohën që m’u desh të arrija në holl. Funksionon, mendova dhe menjëherë harrova ndjenjën e bezdisë që ai vështrim këmbëngulës do të më kishte shkaktuar në një situatë tjetër. Përkundrazi, i isha pothuajse mirënjohës që më siguroi provën që kërkoja për efektivitetin e asaj përshtatjeje të vogël që kisha planifikuar për t’u shfaqur tërheqëse në sytë e John-it.John ishte ulur në holl, më priste ndërsa shfletonte një nga revistat e vëna në dispozicion të klientëve dhe vizitorëve. Ishte elegant, si një ditë më parë. Kishte veshur një këmishë të kaltër me një kravatë të hollë, me vija ngjyrë ari dhe të zeza. Mbi këmishë kishte xhaketën e ditës së mëparshme. Pantallonat formonin një kostum me xhaketën, tregonin një suvatim të lehtë që nuk e kisha vënë re mbrëmjen e mëparshme. U afrova me hap të shpejtë, ndërsa ai më vuri re, duke ndjekur me shikim ecjen time.
«Mirëmëngjes John. Kërkoj falje për vonesën, ke shumë që pret?», pyeta në siklet. Më ishte kthyer papritur frika se mund të vinte re ënjtjen nën sytë e mi.
«Mirëmëngjes Katherine. Po pres vetëm prej disa minutash. A keni kaluar një natë të mirë? Ndonjë problem?».
«Gjithçka shumë mirë, faleminderit. Më zuri gjumi pothuajse menjëherë mbrëmë në darkë. Isha kaq e lodhur sa nuk u kujtova të fikja televizorin, mendo. Kam fjetur si një fëmijë gjatë gjithë natës dhe në mëngjes ndjehesha plotësisht e shplodhur», gënjeva, pa turp.
«Shumë mirë. Megjithatë çudi, sytë tuaj do të donin të më sygjeronin të kundërtën e saktë. Mendova se kishit qarë. Gëzohem të di se gabohem dhe në vend të kësaj keni pushuar mirë».
“Dreqin!”, mendova. Gjoksi im nuk kishte pasur asnjë efekt mbi këtë njeri, e mundur? Ai i kishte vënë re menjëherë sytë, të fryrë si topa tenisi. Duhej t’i thoja diçka për ta qetësuar.
«Sytë e mi? Oh John, mos i kushtoni vëmendje. Unë jam gjithmonë kështu në mëngjes sapo ngrihem. Pastaj rregullohen vetë. Pse duhet të kisha qarë? Nuk kam arsye, a nuk mendoni?», ishte e vetmja gjë që mund të sajoja për momentin.
«Unë nuk mund ta dija këtë. Jam vërtet shumë i lumtur që ju jeni mirë». Kuptova që po i përkeqësoja gjërat, do të kishte qenë më mirë të zhvendosnim bisedat tona në tema të tjera.
«Shkojmë të hamë mëngjes? Unë paskam pak uri, po ju?»
«Po, shkojmë. Ju lutem», u përgjigj, duke më ftuar me një krah për t’i paraprirë në rrugën drejt sallës së restorantit. Dukej që ishte me të vërtetë një burrë galant. Ishte një burrë që unë e perceptoja si “të rrallë” me sytë dhe shqisat e mia. Në restorant shërbehej një mëngjes ndërkombëtar. Kishte kaq shumë gjëra për të ngrënë sa mund të ushqehej një ushtri e tërë atë ditë. John morri një kafe amerikane që e përzjeu lehtazi me qumësht të ftohtë. Unë u hodha mbi diçka më të rëndë: reçelna të ndryshëm me bukë dhe gjalp, fruta të freskëta, proshutë, salsiçe dhe djathëra. Të gjitha këto ishin të shoqëruara nga një lëng i bollshëm portokalleje të përqëndruar. John më shikonte i habitur.
«Ç’farë keni që më shikoni në atë mënyrë?», pyeta ndërsa nxehtësia pushtonte qafën time. Imagjinoja skuqjen që po mbulonte fytyrën time në atë moment të saktë. Gjithmonë shprehja emocionet e mia të pakontrolluara përmes reflekseve të pakontrolluara të trupit tim. Nuk iu kisha fshehur shumë nga jeta ime njerëzve. Vetëm sekreti im më i madh nuk kishte dalë kurrë jashtë mureve të shtëpisë sonë, po të mos kishte qenë për dhjetëra shtrydhës trush që kishin patur mundësi të ushtronin shkencën e tyre tek unë, thjesht për zgjedhje dhe dëshirë të nënës sime.
«Vërej me kënaqësi vlerësimin tuaj për kënaqësitë dhe mrekullitë e tavolinës. Është tipike për një italian, e di?», m’u përgjigj duke buzëqeshur. Po tallej me mua, ishte e dukshme.
«Ç’farë doni të thoni me këtë? Mbrëmë në darkë mbeta pa ngrënë, kam pirë vetëm kafe dhe pastaj shkova të fle. Dhe është e arsyeshme, njerëzore dhe fizike të kesh uri! Dhe ç’hyjnë italianët në gjithë këtë?». Donte luftë? Isha gati të luftoja me të njëjtat armë! Piruni im me një copë salsiçe të ngulur mbeti për pak kohë i ngritur në ajër, mbajtur nga dora ime që nuk dinte më të vendoste ta ulte në pjatë apo drejt gojës.
«Mbrëmë në darkë, kur ju pyeta nëse kishit darkuar, m’u përgjigjët që nuk e kishit zakon të hani shumë para se të flini. Iu besova fjalëve tuaja dhe nuk guxova të ngulmoja shumë për t’ju ofruar një zemër. Ju kërkoj ndjesë, ndoshta duhet të kisha ndjekur më mirë instiktin tim. Sa i përket italianëve, i keni parasysh ato grupet që nisen nga qytetet e mëdha për një pushim jashtë mureve të shtëpisë së tyre, duke blerë paketat e plota të ushqimit dhe fjetjes? Nuk lënë t’ju bjerë as një thërrime buke nga tavolina e tyre. Me justifikimin se kanë paguar gjithçka, zhyten si derra dhe shëndoshen deri sa nuk e njohin veten kur kthehen në shtëpi».
Nuk mund të mbaja të qeshurat ndërsa, ndërkohë, kisha filluar të haja me shije. Ai njeri më zbaviste, ndihesha mirë me të. Fillova të mendoj se ndoshta duhej të kisha ndarë me të situatën time dhe qëllimin kryesor të vizitës sime. Megjithatë, nuk do të kisha pretenduar ndihmë nga ana e tij. Ashtu si, me siguri, nuk do ta refuzoja nëse do ta ofronte me vullnetin e tij spontan.
«Dhe ku dini gjë ju se si sillen italianët? Pastaj nuk janë të gjithë njësoj. Sipas meje, i dashur John, ju keni në mendje stereotipin e italianit të vrazhdë dhe zhurmaxhi, ngrënës të madh picash dhe makaronash, që i bie mandolinës dhe që është gati për t’ia hedhur të parit që gjen. E kam mirë?», e ngacmova për të përballuar pastaj goditjen e fatit, «Italianët pastaj janë dashnorë të mëdhenj, e dini këtë apo jo?». Shpërtheva në të qeshur ndërsa ai po ulte filxhanin e tij të zbrazët, tregonte një vështrim të ashpër.
«Si thoni nëse vazhdojmë me check-out-in dhe të nisemi? Rruga është e gjatë. Shoh që nuk keni me vete valixhen tuaj», u përgjigj, më shumë i zënë ngushtë nga shigjeta ime e fundit që, pa dyshim, duhet të kishte goditur në shenjë.
«Po John, italianët bëjnë dashuri vërtet mirë! Kujtojeni këtë, gjithmonë. Po shkoj të marr valixhen time, shihemi këtu për disa minuta, nëse nuk takoj ndonjë italian në ashensor», replikova duke shkelur syrin siç do të bënte një vajzë e vogël papërmbajtshmërisht e kënaqur që po i mbante mëri një konkurrenti.
«Katherine!», më thirri, «Duhet të vishni diçka më të ngrohtë, të rehatshme dhe të përshtatshme para se të dilni. Në Wallowa bën shumë ftohtë, sidomos në këto ditë, nuk do doja që të sëmureshit». Kishte fituar ai edhe një herë. Me qetësinë, seriozitetin dhe mirësjelljen e tij, kishte arritur fjalë për fjalë të më tërhiqte përgjatë rrugës së tij. Tani isha unë që po e ndiqja atë dhe e bëja me kënaqësi dhe me mirënjohje ekstreme. Kishte menduar për mua, që unë të mos sëmuresha, me mospërfillje ndaj batutave si vajzë e fëlliqur që sapo kisha shqiptuar dhe që, në njëfarë mënyre, duhej ta kishin prekur thellë. Duhej të rregulloja gabimin tim. “Por unë e bëra gjithë këtë për ju, John!”, isha gati të thoja, por u përmbajta në kohë vetëm për të shmangur një tjetër figurë të keqe, tashmë kisha bërë mjaft në vetëm një orë të ditës. Gjithashtu e dija shumë mirë që e kisha bërë këtë kryesisht për veten, për të fshehur një difekt timin, nuk kishte asnjë gjurmë altruizmi në gjestin tim. Me një shenjë të kokës konfirmova se kisha pranuar sugjerimin e tij dhe hyra në ashensor. John ishte afruar dhe para se dyert të mbylleshin më buzëqeshi, ndërsa më shikonte me shprehje të qetë dhe me shaka.
«Nuk shikoj italianë në ashensor Katherine. Mirë, atëherë mund të ngjiteni». Shpërtheva në të qeshur dhe nuk arrija të ndalesha jo më parë se të kisha hyrë në dhomën time.
Vesha pulovrën time të leshtë me golf të gjatë, morra bagazhin dhe u ktheva në holl. John po më priste pranë derës së ashensorit. Ndalova, duke lëshuar valixhen për të veshur pallton që kisha të varur në krah, si gjithmonë. John, pa thënë asgjë, morri valixhen time dhe filloi të lëvizë përpara, duke më pritur në daljen e hotelit.
«Prisni, duhet të paguaj llogarinë e dhomës».
«U bë, mos u shqetësoni. Mund të shkojmë, më ndiqni».
«Por, a jeni i sigurt John?».
«Më pyesni nëse jam i sigurt që kam paguar? Sigurisht, karta ime e kreditit është akoma e nxehtë», u përgjigj duke më buzëqeshur.
«Jo. Dua të them nëse jeni i sigurt për atë që po bëni. Jam një njeri plotësisht i panjohur për ju, nuk ju duket?».
«Nuk është e vërtetë! U njohëm mbrëmë në darkë në aeroport, kemi udhëtuar bashkë në makinë, kemi ngrënë mëngjes bashkë këtë mëngjes dhe pak duhej që të më tregonit plotësisht gjoksin tuaj me atë dekoltenë e mëparshme. Mendoni akoma se unë dhe ju jemi komplet të panjohur?». Ishte çarmatosës në thjeshtësinë e tij shprehëse, në aftësinë e tij për të më bërë të ndihem e rëndësishme! U ndjeva aq e rrethuar saqë nuk arrija të përgjigjesha, veçse në makinë, pasi të isha sistemuar në brendësi të ambientit akoma të ftohtë.
«Po, jemi të panjohur. Nuk e shikoni që i drejtohemi njëri-tjetrit me një “ju” të ftohtë?», i thashë, duke shpresuar të shpalosja dyert e një besimi më të madh midis nesh. Shpresa ime u shpagua menjëherë.
«E pra në të vërtetë, po e mendoja edhe unë pak më parë ndërsa prisja ashensorin. Si thoni të shembim murin dhe të flasim me “ti”?».
«Mirë, me kënaqësi», u përgjigja, ndërsa ndjeja me të vërtet kënaqësi ta thosha atë, duke u çliruar nga një kufizim që prirej të më frenonte madje shumë.
John më shikonte gjithmonë drejt në sy kur më fliste seriozisht, si mund të kisha menduar ta shpërqëndroja me mjete të tjera? Kisha përshtypjen gjithmonë e më të fortë se e njihja vërtetë atë njeri prej shumë kohësh.
«Makina është akoma e ftohtë, por së shpejti do të jetë më mirë. Të vjen keq nëse hap kondicionerin e ajrit për ta ngrohur sa më shpejt?».
«Absolutisht jo, shiko të bësh më të mirën».
«Mirë, vërej që fryrja e syve po zhduket përfundimisht. Tani janë bërë të bukur, si mbrëmë në darkë».
I buzëqesha në heshtje dhe ndenja duke parë vijëzimet e buta të profilit të tij, ndërsa, me vëmendje, ngiste makinën në rrugën kryesore. Qëndruam në heshtje për pak, ndërsa radioja transmetonte muzikë klasike vazhdimisht. Kaluam qendrën e qytetit, Portland ishte i gjallëruar në atë orë të mëngjesit, rrugët e tij dhe trotuaret ishin të mbushura me njerëz që ecnin me hapa të shpejtë, drejtuar kushedi se ku, kushedi përse. Kaluam urën mbi lumin Willamette, ishte aq e bukur me borë, merrte një bukuri të veçantë. Shikoja jashtë nga dritarja dhe kapja të gjitha imazhet e këtij peizazhi, duke u përpjekur të kuptoja nëse kisha qenë tashmë në atë zonë në jetën time të kaluar. Jo, për mua ishin krejtësisht të reja dhe për këtë, ndoshta, i vlerësoja edhe më shumë.
«Atëherë, të pëlqen Portland?».
«Është një qytet i bukur dhe me dëborë duket vërtet magjik. Është shumë më i qetë se New York-u por duket se nuk mungon vërtet asgjë. Mendoj se nuk ka asgjë për ta patur zili».
«Është një qytet i plotë dhe misterioz. Është një qytet i bukur, por kur ke kohë që jeton, fillon të të mbysë, siç ndodh me pjesën më të madhe të metropoleve të mëdhaja. Ndërsa Wallowa është e zhytur në natyrë. Do ta shikosh ç’farë ndryshimi, Kate! Ka liqenin e tij të bukur, të mbyllur mes maleve, ngjyrat e luleve në pranverë, bimët dhe gjelbërimin gjithandej përreth. Vend i shkëlqyer Kate!», m’u përgjigj, «Është gjynah që ti mund ta shohësh vetëm me dëborë».
«Me dëborë do ketë gjithsesi bukurinë e vetë, apo jo?», vazhdova. “Dhe pastaj unë e kam parë”, do kisha dashur të bërtisja. Por arrita të përmbahesha.
Të humbur mes atyre fjalëve arritëm në kufijtë ekstremë të qytetit, përtej të cilave hapej fshati i pakufijshëm. Temperatura në brendësi të makinës ishte bërë me të vërtet e këndshme, prandaj vendosa të hiqja pallton që e vendosa mbi sediljet e pasme. Ndihesha më e lirë në lëvizje, më rehatshëm, pavarësisht golfit të lartë të pulovrës që nuk isha mësuar të vishja dhe që pjesërisht më bezdiste. Ndërsa po përkulesha për të rregulluar pallton, John u kthye për të më parë. Sytë tanë u takuan dhe në atë moment unë kapa gjithë bukurinë dhe thellësinë e syve të tij, të asaj ngjyre të gjelbër që kisha vënë re tashmë në aeroport, por që vetëm në atë moment mund ta vlerësoja në të gjithë intensitetin e saj. Ndoshta për shkak të çmendurisë sime, në atë moment ndjeva një dëshirë të fortë për ta puthur. Por po, pse mos ta bëja? Jemi qënie njerëzore në thelb, jemi prej mishi dhe kockash. Pse të mos i jepemi kënaqësive të jetës, pasi ajo është kaq e shkurtër? Unë dashuroja një burrë në jetën time të kaluar, e di me siguri absolute falë të gjitha imazheve të çmuara që ruaj brenda meje. Përse në këtë jetë nuk kisha arritur akoma të takoja njeriun e duhur, deri në atë moment? John nuk ishte indiferent ndaj meje, dhe ndoshta as unë nuk isha për të. Po gaboja gjithçka, ndoshta? Po vrapoja shumë? Do të kisha rënë në një humnerë të thellë, siç më ka ndodhur herë të tjera në të kaluarën? Po i bëja shumë pyetje vetes të cilave nuk mund t’u jepja ndonjë përgjigje. Iu përgjigja shikimit të tij me një buzëqeshje. John ma ktheu i kënaqur. Kishte mirëkuptim mes nesh dhe kjo më bënte të lumtur dhe për momentin, më mjaftonte.
KAPITULLI 5
Përgjatë anëve të saj, rruga i jepte hapësirën një shtrirjeje të pafundme me dëborë të bardhë, vetëm aty këtu ndërprerë nga gjurmë hapash të fëmijëve që luanin në fushat e mbuluara dhe plot me njerëz dëbore dhe igloo të vogla. John ishte i heshtur dhe i vëmendshëm ndaj makinës. Më vuri në dukje se kishte disa shtresa akulli në karrexhiatë dhe për këtë arsye, përveç kushteve të dukshme të trafikut të ngadaltë, do të na duhej më shumë kohë nga parashikimi të arrinim në destinacion. Ndoshta punonjësja në aeroport, që e njihte zonën, kishte të drejtë që më vuri në dukje se do të duheshin edhe tetë orë për të përfunduar udhëtimin. E pyeta John-in nëse nuk kishte rrugë të tjera që do të na lejonin ta paraprinim edhe vetëm pak kohë ardhjen tonë në Wallowa.